KQZ: 9 qendra përfundojnë numërimin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i numërimit dhe verifikimit të rezultateve zgjedhore po vazhdon në disa komuna të Kosovës, ndërsa paralelisht ka nisur edhe vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës në diasporë.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri të martën në orën 16:00, nëntë Qendra Komunale të Numërimit kanë përfunduar numërimin e votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimin e rezultateve të subjekteve politike.

“Ju njoftojmë se deri më tani (e martë, 9 qershor 2026, ora 16:00) është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve, në 9 Qendra Komunale të Numërimit”, ka deklaruar Elezi.

Komunat që kanë përfunduar këto procese janë Juniku, Shtërpca, Hani i Elezit, Parteshi, Mamusha, Zubin Potoku, Zveçani, Kllokoti dhe Novobërda.

Ndërkohë, procesi i numërimit dhe verifikimit po vazhdon në 29 qendra të tjera komunale. Sipas KQZ-së, deri tani janë procesuar 902 vendvotime nga gjithsej 2,498, që përbëjnë mbi 36 për qind të totalit.

Elezi ka bërë të ditur gjithashtu se pas përfundimit të punës në komuna, materialet zgjedhore po dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku pritet të nisë skanimi i Listës së Votuesve nga vendvotimet e rregullta.

“Qëllimi është që të sigurohet se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht”, ka thënë ai.

Sa i përket votimit nga diaspora, KQZ ka përfunduar tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutitë postare në 22 shtete dhe në Kosovë. Sipas Elezit, janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime.

“Gjatë ditës së hënë, më 8 qershor, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Tërheqja e pakove me fletëvotime është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka shtuar se tashmë ka nisur edhe vlerësimi i këtyre pakove në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, për të verifikuar nëse janë dërguar nga votuesit e regjistruar. Pakot e aprovuara do të përfshihen në procesin e numërimit në ditët në vijim.

Sipas të dhënave preliminare, numri më i madh i pakove të tërhequra është nga Berlini me 41,561 pako, pasuar nga Berna me 23,356, Stokholmi me 4,633 dhe Parisi me 3,470 pako me fletëvotime.

Të tjera

Lajme

E rëndë | Gjendet i varur një 86-vjeçar në Gjakovë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur

Aktuale

KQZ: 9 qendra përfundojnë numërimin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar