“Qëndrojmë me Ukrainën”, “Paqe për Ukrainën” dhe “Bota ka parë mjaftueshëm luftëra” ishin disa prej sloganeve të protestës solidarizuese me popullin ukrainas, që u mbajt të hënën në Prishtinë.
Ukraina është nën pushtimin e Rusisë qysh më 24 shkurt.Sipas Kombeve të Bashkuara, qindra njerëz janë vrarë dhe mbi 1.5 milion janë zhvendosur.Në protestën në Prishtinë, që u organizua nga disa organizata joqeveritare, morën pjesë qytetarë, por edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe diplomatë të akredituar në Prishtinë, përcjell Radio Evropa e Lirë.
Dajana Berisha, drejtoreshë e Forumit për Iniciativa Qytetare, tha se populli i Kosovës i di vështirësitë që po i kalon populli ukrainas.
Ajo tha se kjo protestë është për të treguar rreshtimin e Kosovës karshi vlerave perëndimore dhe demokratike.“Ne jemi sot këtu – përmes një gjesti simbolik – për të shprehur solidaritetin e Kosovës në rrafshin njerëzor, institucional, të OJQ-ve, ndaj popullit të Ukrainës”, tha Berisha.
E pranishme në protestë ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo tha se ngjarjet në Ukrainë rikthejnë kujtimet e luftës në Kosovë, në fund të viteve ’90.Osmani tha se Kosova ka shprehur gatishmërinë që të strehojë gazetarë dhe shtetas ukrainas, brenda kapaciteteve të saj.
“Kosova ka treguar gatishmëri që të japë mbështetje, por edhe mikpritje për gazetarët në Kosovë. Gjithçka që është në dorën tonë, e kemi bërë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, brenda kapaciteteve tona”, tha Osmani.
Lajm shumë i keq nga Ukraina, rusët privojnë nga jeta kryetarin…
Autoritetet në Kosovë kanë njoftuar se mund të strehojnë 20 gazetarë ukrainas, për një periudhë gjashtëmujore, duke iu mundësuar atyre që të punojnë nga Kosova.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 150,000 euro për të mbuluar shpenzimet e gazetarëve, por ende nuk dihet se kur do të vijnë ata.
Po ashtu, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka bërë të ditur se do t’u ofrojë strehim familjarëve të ushtarëve ukrainas, që shërbejnë në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.Në misionin e KFOR-it shërbejnë 40 ushtarë ukrainas.MPJD ka thënë se do të dorëzojë kërkesë në Qeveri që të përgatitet për pranimin e 5,000 refugjatëve ukrainas.
Kosova po ashtu u është bashkuar sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kundër Rusisë.