[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kosova kërkon kundërshtar mesatar



Përfaqësuesja e Kosovës do të kthehet në aksion sivjet pas vitit historik, të cilin e kaloi më 2016-n, shkruan sot gazeta Zëri.

Verdhekaltrit do ta zhvillojnë lojën e parë të vitit 2017 me Islandën më 24 mars, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikimet për Botërorin e Rusisë.

Mirëpo, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ndërkohë është në kërkim të një kundërshtari për datën tjetër të lirë të FIFA-s, kah fundi i marsit.

Ditëve të fundit u spekulua se kundërshtari i Kosovës mund të jetë Gjermania ose Zvicra, por përzgjedhësi Albert Bunjaki i ka hedhur poshtë këto mundësi, duke insistuar se ekipit të tij i nevojitet një kundërshtar mesatar, pasi me këtë rast do ta kishte mundësinë më të mirë për t’i provuar lojtarët që nuk kanë hapësira në ndeshjet zyrtare.

“Data 28 mars është datë e caktuar për lojë. Akoma nuk ka konfirmim 100 për qind të emrit të kundërshtarit. E di që FFK-ja është duke u marrë me këtë çështje”, ka thënë trajneri Bunjaki për “Zërin”.

“Nuk janë as Gjermania as Zvicra. Për ne është me rëndësi ta kemi një ndeshje miqësore para duelit me Turqinë, ku do t’u japim hapësirë disa lojtarëve të rinj”, vazhdoi ai.

“Duke e kuptuar grupin që kemi, për ne është mirë të kemi edhe kundërshtarë që përafërsisht janë ndoshta ku gjendemi ne. Është mirë për ne të shohim se ku gjendemi”, shtoi ai. /