Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për të ofruar ndihmë logjistike me kapaciteteve ushtarake për shtetet mike, shkruan Gazeta Botapress.
Mehaj ka shprehur ngushëllimet e popullit të Kosovës për viktimat e përmbytjeve në këto vende. “Populli ynë në traditën e tij e ka të shenjtë mirënjohjen dhe vlerësimin e përkrahjes së miqve dhe gjithmonë ka qenë në krahë të tyre në ditë të vështira”, ka njoftuar Mehaj.
Ky është shkrimi i plotë:
Qytetarë të dashur të vendit tim,
Dje shpreha vullnetin tonë të përbashkët që të mbështesim Gjermaninë e sot të njëjtin vullnet e shpreha në kontaktin direkt me autoritetet e ambasadave të Belgjikës, Holandës, Luksemburgut dhe Zvicrës, për mbështetjen e institucioneve të tyre të mbrojtjes dhe menaxhimit të emergjencave pas përmbytjeve të fundit me kapacitetet tona operacionale të specializuara.
Populli ynë në traditën e tij e ka të shenjtë mirënjohjen dhe vlerësimin e përkrahjes së miqve dhe gjithmonë ka qenë në krahë të tyre në ditë të vështira.
Zoti pastë bekimin e tij për viktimat dhe familjet e tyre që humbën më të dashurit e tyre në këtë fatkeqësi dhe për të gjithë popujt miq të Gjermanisë, Belgjikës, Holandës, Zvicrës e Luksemburgut./Botapress/