Danimarka dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshje për transferimin e 300 të burgosurve në burgun e Gjilanit. Një vendim të njëjtë, për shtetin e saj po e propozon edhe eurodeputetja franceze, Dominique Bilde.
300 të dënuar në Danimarka, të cilët janë të huaj, pritet që ta vuajnë dënimin në Kosovë, përcjell Botapress.info
Një gjë të njëjtë, për Francën po e propozon edhe eurodeputetja, Dominique Bilde, e cila ka thënë se “ky është një sinjal i qartë”.
“Danimarka do të dërgojë 300 të burgosur të huaj në Kosovë: “Ky është një sinjal i qartë: e ardhmja juaj nuk është në Danimarkë, prandaj nuk duhet ta kryeni dënimin atje”. Danimarka e bën, pse jo edhe ne?!”, ka thënë ajo.
Vlen të theksohet se një model i ngjashëm është propozuar edhe në Suedi, megjithatë, partitë politike atje janë parë të ndara sa i përket një vendimi të tillë, përcjell Botapress.info
Ndryshe, Qendra Korrektuese me 300 qeli që i është dhënë me qira shtetit të Danimarkës gjendet në fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit, në lindje të Kosovës. Aty nuk do të ketë të dënuar për terrorizëm dhe as të dënuar me sëmundje mendore.
Demokracia.com ka parë disa prej pikave të traktatit, ku njëra prej tyre, thekson se dëmet e mundshme në burgun e Gjilanit, do t’i paguajë Kosova.
“Dëmtimi i pronës së burgut nga të burgosurit si rezultat i përdorimit ose vandalizimit, do të përballohet nga shteti pritës”, thuhet në pikën e 11-të të këtij traktati.
Po ashtu, Kosova do t’i vendosë kushtet në burg lidhur me qelitë, ku për dy persona qelia duhet të ketë sipërfaqe jo më pak se 6 metra katrorë, ndërsa për më shumë, jo më pak se 8 metra katrorë./Botapress.info/