[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Koreja Veriore: Do t’i përgjigjemi pa hezitim sulmeve amerikane



Koreja Veriore ka përsëritur qëndrimin e saj zyrtar se do t’i kundërvihet SHBA-ve në rast të ndonjë sulmi eventual, duke u mbrojtur me të gjitha mjetet në dispozicion.

Ministria e Jashtme e këtij vendi ka bërë të ditur se forcat ushtarake veri-koreane do t’i përgjigjen pa hezitim ndaj çdo sulmi amerikan dhe do të shënojnë fitore në fushën e betejës.

“Ne kemi mjaft fuqi nukleare për të mbrojtur veten nga kërcënimi nuklear i SHBA-ve dhe ne do të përgjigjemi pa hezitim me një luftë të plotë dhe luftë nukleare me stilin tonë të goditjeve nukleare dhe ne do të shënojmë fitore në betejën përfundimtare me Shtetet e Bashkuara”, thuhet në qëndrimin e Ministrisë së Jashtme.

Koreja Veriore do të festojë 85-vjetorin e formimit të Ushtrisë Popullore veri-koreane të martën, në kohën kur Koreja Jugore dhe SHBA po bëjnë ushtrime të përbashkëta ushtarake.

Gazeta zyrtare Rodong Sinmun shkruan të shtunën se Koreja Veriore nuk do të hezitojë të lansojë një sulm preventiv nëse provokohet nga ana e SHBA-ve.

“SHBA-të janë çmendur seriozisht. Ajo po mendon të frikësojë Republikën Demokratike të Koresë dhe të arrijë diçka me bombarduesit strategjikë bërthamorë, transportuesit bërthamorë etj. Sidoqoftë, ushtria dhe njerëzit e Republikës Demokratike të Koresë nuk do të mbeten asnjëherë të bllokuar nga blofet e tilla”, shkruan në komentin e saj gazeta, e cila Koresë Veriore i referohet si Republika Demokratike e Koresë.

“Nën situatën ku SHBA do të lëndojë Republikën Demokratike të Koresë me forcën e armëve, nuk do t’iu përgjigjemi lëvizjeve të tilla luftarake dhe provokimeve me goditje preventive me stilin tonë dhe luftën madhështore të drejtësisë për ribashkimin nacional”, shkruan tutje gazeta, transmeton Al Jazeera.

Kërcënime të tilla në adresë të SHBA-ve nga regjimi komunist në Pjong-jang ka pasur edhe kohë më parë, ku u tha se çdo provokimi do t’i përgjigjen me hakmarrje, ndërsa administratën e presidentit Donald Trump e quajtën si “histeri serioze ushtarake”.