Në veri të Kosovës, jeton një komunitet që ndihet i harruar.
Nuk është komuniteti serb, që përbën shumicën në atë rajon, e as ai shqiptar, që përbën shumicën e popullsisë së Kosovës.
Është komuniteti boshnjak që banon në katër fshatra në komunën e Leposaviqit – Rëvatskë, Berberishtë, Kalin dhe Vërbë, pranë kufirit serb.
Ky komunitet përbën rreth 1.6 për qind të popullsisë së Kosovës, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Ata që jetojnë në disa dhjetëra shtëpi në këto fshatra ndihen larg kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, që ka një distancë prej gati 90 kilometrash, por afër Novi Pazarit, një qytet me shumicë boshnjake në Serbi, pranë kufirit të Kosovës, ku brezat e rinj shkojnë për të ndjekur studime të larta dhe kryesisht qëndrojnë për të jetuar më pas.
Afërsia me Novi Pazarin lejon që boshnjakët që kanë lëvizur atje, t’i vizitojnë shpesh fshatrat e tyre dhe t’i mbajnë pronat e tyre. Shumica e burrave të këtij komuniteti, të cilët janë myslimanë, takohen çdo javë – për faljen e xhumasë në një nga xhamitë e rralla në veri të Kosovës, në fshatin Rëvatskë.
“Nuk vijmë vetëm për të falur namazin, por edhe për të pyetur për mirëqenien e njëri-tjetrit, për të shkëmbyer informacione dhe për të rregulluar punët e rëndësishme që duhet të kryhen në fshat”, thotë Mirsad Hushkoviq, një nga banorët më të vjetër të Rëvatskës.
“Me të vërtetë mezi e pres çdo të premte”, shton ai, duke theksuar se xhamia e ka ndihmuar komunitetin të mblidhet së bashku që kur u ndërtua para disa vitesh.
Ata thonë se nuk u intereson politika dhe nuk duan të flasin për të.
Në fund të fundit, ata thonë se askush nuk i pyet për asgjë. Ajo që u intereson atyre, megjithatë, është të ruajnë marrëdhënie të mira me fqinjët serbë dhe të jetojnë nga puna e tyre – kryesisht blegtoria.
Të paktën kështu shprehet Dejan Bllazariq, një serb lokal që erdhi në Rëvatskë të premten për të ndihmuar mikun e tij boshnjak, Enes Neziroviq.
Dy prej tyre hipur në një traktor pothuajse njëzëri flasin për miqësinë e tyre, bashkëpunimin e mirë dhe ndihmën që i japin njëri-tjetrit çdo ditë.
“Dejani është një mik i mirë dhe koleg imi, sepse edhe ai është i përfshirë në punën e vështirë të blegtorisë. Sot ai erdhi të më ndihmojë të mbjellim jonxhën, por ai gjithmonë është aty për të ndihmuar me gjithçka tjetër”, tha Enesi, 42 vjeç, i cili zotëron një fermë të vogël lopësh.
Pavarësisht punës së vështirë, ai buzëqesh ndërsa flet për të. Duke tundur kokën në shenjë pohimi, Dejani thot se ata njihen që nga fëmijëria dhe bashkëpunojnë më shumë sot, pasi punojnë në të njëjtën fushë.
“Kam disa bagëti më shumë, jam më i vjetër se ai, kështu që kam më shumë përvojë. Punoj ngushtë me Enesin dhe mund të them se në këtë rajon, kurrë nuk ka pasur rëndësi se cilës fe i përket”.
“Ajo që i shqetëson ata, megjithatë, është mungesa e perspektivës në atë pjesë të vendit. Enesi u rrit me babanë dhe gjyshin e tij, të cilët ishin blegtorë, dhe ai e deshi këtë punë. Ai ndien se nuk do të ishte aq i mirë në ndonjë gjë tjetër. Megjithatë, ai gjithashtu dëshiron që katër fëmijët e tij të kërkojnë jetë më të mirë diku tjetër. Ai nuk dëshiron që ata “të përballen dhe të vuajnë në një vend ku nuk ka të ardhme”.
“Ne punojmë siç duhet dhe siç jemi mësuar. Ne jetojmë nga blegtoria, së bashku me disa punë rastësore anësore. Më vjen keq që nuk mund të mbaj më shumë bagëti për shkak të mungesës së burimeve, por pa ndihmë, është e pamundur. Askush nuk na viziton, sidomos tani, dhe nuk më kujtohet hera e fundit që dikush na ka pyetur se për çfarë kemi nevojë. Në të kaluarën, kjo ndodhte para zgjedhjeve, me premtime për qiell e yje, por pastaj asgjë. Unë ndiej se jam në moshën më të mirë të jetës dhe mund të jap më të mirën për familjen time tani”, thotë Enesi.
Ai shton se pothuajse të gjithë blegtorët kanë të njëjtin fat. Gruaja e tij, Albina, përveç kujdesit për fëmijët dhe punës herë pas here në një kompani që ofron ushqime të porositura, gjen kohë për të mjelë lopët, për të bërë djathë dhe për të prodhuar kajmak dhe gjalpë. Ajo nuk ankohet për fatin e saj dhe e mbështet plotësisht burrin e saj në të gjitha punët e fermës.
“Kushdo që thotë se nuk ka treg për produktet e qumështit, gënjen. Shes gjithçka që prodhoj. Mund të shes edhe më shumë. Përtacia ka marrë hov dhe askush nuk dëshiron t’i dalë ballë punës. Edhe unë do të doja të kisha një punë shtetërore, një pagë të sigurt dhe një jetë të lehtë, por kjo gjithmonë më ka kaluar. Nuk po ankohem; jam mësuar me këtë, dhe faleminderit Zotit, do të kemi mjaftueshëm për veten tonë”, tha Albina.
Një imam xhamie nga Novi Pazari, Almir Hajroviq, i cili vjen rregullisht në Rëvatska, thotë se disa vjet më parë kur jepte mësim në shkollë, kishte klasa me 20-30 nxënës, ndërsa tani janë vetëm tre. Ky migrim nisi fillimisht nga kushtet e këqija të jetesës dhe nevoja për punësim. Në dekadën e fundit, kjo dukuri u përshkallëzua pasi shumë të rinj u larguan në kërkim të arsimit të lartë.
Anëtarët e komunitetit boshnjak në Kosovë mund të mësojnë në gjuhën e tyre amtare në komunat në jug të lumit Ibër, në Mitrovicë, por ata në veri kryesisht zgjedhin të vazhdojnë studimet në gjuhën serbe dhe në Serbi, ose të zhvendosen jashtë vendit për mundësi më të mira.
I tillë është Armin Islamoviq, një arkitekt i diplomuar, i cili u zhvendos me familjen e tij në Gjermani. Ai, herë pas here viziton familjen e vet në fshatin Kaljin, kryesisht për hir të fëmijëve dhe për të dhënë një dorë ndihmë.
“Nuk ka jetë këtu për të rinjtë. Është një deklaratë e dhimbshme, por duhet ta themi. Kushtet janë të këqija, nuk ka perspektivë dhe nuk është çudi që njerëzit po largohen. Çdo vit, shoh më pak njerëz, kryesisht të moshuar, që mbeten. Përpiqem ta vizitoj sa më shpesh të mundem, por ritmi i jetës përcakton orarin tim. Por nëse flasim për bukurinë e këtij peizazhi, është e pakrahasueshme”, tha Armini, me vështrimin e tij të përqendruar në largësi.
Ata që janë duke jetuar aty nuk i vizitojnë zyrtarë të Kosovës e as ata të Serbisë, dhe sigurisht jo ndokush nga Bosnja dhe Hercegovina – një vend që disa e konsiderojnë si atdhe.
Ata shpesh pyesin nëse dikush e di, madje, nëse ekzistojnë.