[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Komuna e Prishtinës largon nga banesat ish – drejtorët e LDK-së



Prishtinë, 8 shkurt – Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që t’i largojë nga banesat komunale në Breg te Diellit të gjithë familjarët që nuk janë invalid dhe raste sociale. Drejtori i Pronës në këtë Komunë, Dren Kukaj ka vlerësuar se qeverisja e kaluar ka bërë padrejtësi në ndarjen e banesave.

Sipas tij, nga kjo shpërndarje kanë përfituar vetë pushtetarët dhe personat me ndikim në Komunë si drejtorët e LDK-së në atë kohë Halim Halimi, Sabedin Haxhiu, Muhamet Gashi, Agim Dibrani, asambleisti i PDK-së Shemsi Veseli, e shumë të tjerë të ngjashëm.

Me këtë rast, Dren Kukaj theksoi se Komuna e Prishtinës nuk do të vazhdojë kontratat me të njëjtit, dhe do t’i rishqyrtojë edhe njëherë të gjitha rastet që kanë përfituar, ashtu që në dhënien e ardhshme për shfrytëzim të këtyre banesave të përfitojnë ata që vërtetë kanë nevojë.

“Mirëpo, nga 330 familje që kanë aplikuar, vetëm për 50 prej tyre ka aktualisht njësi banesore. Për pjesën tjetër, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale bashkë me Drejtorinë e Pronës janë duke hartuar plane konkrete të sistemimit, me ç’rast në periudhën 3-5 vitet e ardhshme të bëhet zgjidhja e banimit për secilit.

Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Arben Vitia, fillimisht informoi për procesin aktual të shpërndarjes së banesave, proces ky transparent ku gjatë gjithë kohës po marrin pjesë edhe përfaqësues të mediave edhe të organizatave të ndryshme”, ka thënë Vitija.