[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Komisioni për Matjen e Territorit: Po punojmë profesionalisht, s’jemi të përçarë



Komisioni për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës në një njoftim për media thotë se është duke punuar intensivisht në kuadër të ndarjes së punës.

Sipas tyre, priten edhe disa materiale. Ndërsa në punën e Komisionit mungojnë vetëm ata që nga fillimi nuk i janë përgjigjur ftesës së Qeverisë dhe të kryeministrit (partitë opozitare dhe dy kryetarë të komunave).

Komisioni i fton edhe ato subjekte që përmes përfaqësuesve të tyre t’i bashkohen diskutimit konstruktiv për të dhënë kontributin e tyre në të mirë të së vërtetës dhe të Kosovës.

“Dje është takuar Grupi organizativ për të konstatuar kompletimin e materialit dhe për të caktuar datën e organizimit të debatit nga profesionistët e organizatave dhe të agjencive profesionale, shkencore dhe menaxheriale. Me këtë rast Grupi organizativ e caktoi si zëdhënës të Komisionit, dr. Tomor Çelën. Grupi organizativ e pa të arsyeshme që t’i dërgojë një letër Dekanit të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, dr. Tahir Arbneshit, nga i cili kërkon që punës së Komisionit t’i bashkëngjiten të gjithë studiuesit dhe profesorët e Departamentit të Gjeografisë që janë marrë dhe merren me problemet gjeohapësinore dhe posedojnë materiale dhe të dhëna të nevojshme. Disa nga anëtarët e këtij Departamenti tashmë e kanë iniciuar dhe kanë marrë pjesë në debate të tilla tash e sa kohë dhe ftohen që të vijnë në debat ditën që do të caktohet dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në emër të profesionit dhe shkencës dhe rrjedhimisht të së vërtetës”, thuhet në komunikatën e këtij Komisioni.

Ata thonë se nuk ka asnjë përçarje, siç është raportuar nga disa media. Komisioni po punon në mënyrë profesionale për matjen e territorit.