Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala është paraqitur për herë të parë para Gjykatës Speciale.
“Komandant Ujku”, pasi u pyet nga gjykatësi Nicolas Guillou nëse i ka kuptuar akuzat të cilat i ngarkohen, tha: “Po i nderuar, i kuptova. Qesharake më duken”, raporton Gazeta Botapress.
Atij paraprakisht iu lexuan të drejtat, ndërsa kur është pyetur nëse i kuptoi ato, Shala ka folur për arrestimin e tij.
“Nuk ka pasur nevojë të bëhet arrestimi e kyfarë filmi. Vetëm një ftesë dhe unë vij paraqitem vetë”, ka thënë ai.
Më pas, ai është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat.
“Unë nuk e ndiej veten se kam bërë ndonjë krim, përceçse kam mbrojtur atdheun tim dhe popullin tim dhe ndihem i pafajshëm”, tha Shala.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Gjykata Speciale.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala akuzohet për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet ai pretendohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që thuhet se u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë. /Botapress/