Kina zyrtarisht ka dalë me një reagim pas lajmit se një raketë e saj mund të bjerë në Tokë të shtunën ose të dielën. Shteti komunist tha se ka shumë pak gjasa që raketa të shkaktojë ndonjë dëm.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, deklaroi të premten se shumica e mbetjeve të raketës “Long march 5B” do të digjen para se të bien në sipërfaqen e Tokës dhe se ka shumë pak gjasa që të shkaktojnë ndonjë dëm.
Pasi iu përmend deklarata e Pentagonit se është duke e ndjekur trajektoren e raketës dhe kur iu kërkua të jepte hollësi për lëvizjen e sa, zyrtari kinez tha: “Si çështje parimi, do të doja që të ritheksoj se Kina është gjithmonë e përkushtuar për shfrytëzim paqësor të hapësirës së jashtme dhe qëndron për bashkëpunim ndërkombëtar në këtë aspekt.”
“Kina është e gatshme që të punojë me të gjitha palët relevante për të bërë përpjekje të përbashkëta për shfrytëzimin paqësor të hapësirës së jashtme dhe garantimin e sigurisë hapësinore”, shtoi ai.
Gazeta kineze në gjuhën angleze, “The Global Times”, raportoi të mërkurën se mbetjet e raketës “Long March 5B” ka gjasë që të bien në ujëra ndërkombëtare.
Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka thënë se Komanda e Hapësirës është duke e përcjellë vendndodhjen e raketës kineze dhe se hyrja e saj në atmosferën e Tokës pritet që të ndodhë më 8 maj.