Publicistja e njohur Kimete Berisha ka pasur kritika të ashpra drejt kryeministrit të Kosovës pas komenteve të tij të fundit për analfabetët funksionalë e punëtorët e krahut, shkruan Gazeta Botapress.info
Si argument për të mos ua plotësuar kërkesat mësimdhënësve, Kurti përdori statistikat e PISA që thonë se 76% e nxënësve në Kosovë janë analfabetë funksionalë. Sipas Kurtit, këta analfabetë funksionalë më pastaj shkojnë dhe bëhen punëtorë krahu në Gjermani.
Kimete Berisha e thumboi fort kryeministrin, duke ia rikujtuar faktin se për punëtorët po flet një njeri që s’ka punuar kurrë në jetën e tij.
“Derisa Albin Kurti fliste kundër djersës së punëtorit shqiptar në diasporë, në veçanti në Gjermani, i fshinte djersët e ballit me mindil”, shkroi ajo.
Ajo vazhdoi: “Kundër punëtorëve krahu fliste një mashkull që kurrë në jetën e tij nuk e ka kryer asnjë punë.”
Kimete Berisha nuk u ndal me goditje ndaj “elitistit” Kurti.
“Albin Kurti mendon se më dikushi është një shqiptar që e di përmendësh vjershën ‘Bagëti e bujqësia’ se sa një bujk që bën punë fizike dhe e ushqen popullin me bukë”, vazhdoi më tej Berisha.
Theksin ajo gjatë tërë shkrimit e pati te fakti se punëtorët u përçmuan nga komentet e Kurtit dhe se ata janë të rëndësishëm për punën që bëjnë, edhe nëse nuk e dinë vjershën “Bagëti e Bujqësi” ose ndonjë të Sabri Hamitit. Kurti, sipas saj, është elitist që i duket vetja i dijshëm, por punëtorët janë më të rëndësishëm./Botapress.info/