Pavarësisht se organizata “Europa Nostra” e ka futur në listën e shtatë monumenteve të rrezikuara në Evropë, Misioni i KFOR-it në Kosovë thotë se nuk ka regjistruar ndonjë incident të konsiderueshëm kundër Manastirit të Deçanit në dhjetë vitet e fundit. Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, KFOR-i thotë se situata e sigurisë përreth monumentit fetar të Manastirit të Deçanit është e qetë.
Institucionet kosovare dhe organizatat e shoqërisë civile e kanë kundërshtuar futjen e Manastirit të Deçanit në listën “7 monumentet më të rrezikuara të Evropës” nga ana e organizatës “Europa Nostra” qe merret me trashëgiminë kulturore. Të gjitha këto institucione i kishin radhitur argumentet se pse Manastiri i Deçanit nuk duhet të jetë në listën e “Europa Nostra”-s.
Se situata në Manastirin e Deçanit është e mirë e thonë edhe nga misioni paqeruajtës i KFOR-it. Në një përgjigje për Gazetën Express, nga KFOR-i thonë se nuk është regjistruar ndonjë incident i konsiderueshëm kundër Manastirit të Deçanit në dhjetë vitet e fundit.
“Ne nuk kemi regjistruar ndonjë incident të konsiderueshëm të sigurisë në dhjetë vitet e fundit kundër Manastirit të Deçanit. KFOR-i do të vazhdojë të operojë me qëllim të garantimit të një bashkekzistence paqësore në atë zonë. Të gjitha objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore në mbarë Kosovën duhet të respektohen dhe të ruhen. Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, në përputhje me parimin e reaguesit të parë, të dytë dhe të tretë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Gazetën Express.
KFOR-i gjithashtu vlerëson se situata e sigurisë përreth Manastirit të Deçanit është e qetë.
“Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, mbetet i përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit të vet, që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillimit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e vitit 1999, për të siguruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Brenda kësaj kornize, ne e mbajmë praninë tonë në zonën e Manastirit të Deçanit. Gjendja e sigurisë është e qëndrueshme në tërë Kosovën dhe në zonën përreth manastirit”, thuhet tutje në përgjigjen e KFOR-it.
Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani i kanë dërguar letër organizatës Europa Nostra që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Në këtë letër shefi i qeverisë dhe shefja e shtetit kanë argumentuar pse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.
Zëvendëspresidenti i organizatës Europa Nostra Guy Clausse, në një përgjigje përExpress para disa ditësh ka thënë se nominimi i Manastirit të Deçanit në listën “7 monumentet më të rrezikuara në Evropë” është mbështetur në raporte të ndryshme ndërkombëtare, por edhe në bisedë me Igumenin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq
Ndaj futjes së Manastirit të Deçanit në listën e 7 Vendeve më të Rrezikuara në Evropë ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.
Çeku ka thënë se monumentet e përfshira në listën e Europa Nostra janë në rrezik shkaku i faktorëve të ndryshëm, ndërkaq përjashtim bën Manastiri i Deçanit.
Ndërkaq organizatat e shoqërisë civile në Kosovë kanë qenë mjaft të ashpra në reagimin e tyre për futjen e Manastirit të Deçanit në atë listë.
Sipas tyre të dhënat e prezantuara në dokumentin e nominimit janë nxjerrë kryesisht nga raporte të institucioneve të Serbisë të cilat për arsye politike prezantojnë rrejshëm realitetin e Kosovës./Botapress/