Kurti dhe Rama nënshkruajnë marrëveshjet e mbledhjes së përbashkët Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama kanë nënshkruar marrëveshjet e arritura në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që po mbahet në Elbasan.
Kjo është mbledhja e shtatë me radhë e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Ndër marrëveshjet e arritura është edhe qarkullimi në pikat kufitare pa ndalesa.
Para sezonës së verës qarkullimi mes Kosovës dhe Shqipërisë do të bëhet pa ndalesë në kufi. Kështu u bë e ditur nga Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledi Çuçi në mbledhjen e përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Lehtësira për qarkullim është bërë edhe për festën e 28 Nëntorit.
Çuçi: Qarkullimi në pikat kufitare do të bëhet pa ndalesa
Të dyja shtetet kanë bërë marrëveshjen për leje qëndrim, ku tash e tutje qytetarët për të jetuar në të dyja anët e kufirit të shqiptarisë mjafton të plotësojnë një formular, të kenë një mjet identifikimi dhe të deklarojnë një adresë të përshtatshme dhe menjëherë pa asnjë procedurë shtesë mund të merret leja pesë vjeçare. E rëndësishme në këtë pikë është vlerësuar edhe fakti që kjo leje qëndrimi unifikon dhe është e njehsuar me leje të punës.
Marrëveshje tjetër e dy ministrive të punëve të Brendshme është edhe lëvizja e lirë e banorëve përgjatë tërë vijës kufitare mes dy vendeve në brendësi të territorit deri në 30 kilometra në secilën anë si dhe marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët në Shtavec-Krushevc dhe për pjesën që ka të bëjë se çka duhet të presin nga ju të dy.
Në mbledhjen e dy qeverive, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha se marrëveshjet e arritura mes dy ministrive do të kenë ndikim jo vetëm në aspektin juridik por edhe në atë politik, ekonomik, historik e kulturor.
Sveçla: Marrëveshjet e arritura mes dy shteteve janë të rëndësishme
“Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës që nga fillimi i kohës sonë e ka pas nga prioritet e saj zhvillimin dhe ngritjen e bashkëpunimit ndërshtetërore me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Ne sjellim tri marrëveshje bilaterale të rëndësishme jo vetëm në aspektin juridik por edhe në atë politik, ekonomik, historik e kulturor mes dy shteteve tona. Këto marrëveshje janë në harmoni me legjislacionin e të dy shteteve dhe të BE-së. Këto marrëveshje vijnë si përgjigje e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve”, tha Sveçla.
Dy qeveritë dakordohen që qarkullimi në kufirin Kosovë-Shqipëri të bëhet pa ndalesë
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Blendi Çuçi ka thënë se para sezonës së verës së ardhshme qarkullimi mes Kosovës dhe Shqipërisë do të bëhet pa ndalesë në kufi.
Çuçi tha se kanë rënë dakord me homologun e tij Sveçla që të vendosin një sistem kamerash në kufi dhe makinat të qarkullojnë pa ndaluar fare.
“Nga ana tjetër, nuk është pjesë e marrëveshjes por me kërkesë të kryeministrit të Shqipërisë dhe Kosovës, kemi marrë masat dhe nuk do të presim sezonin e verës sidomos në pikën kryesore të kalimit mes vendeve tona, kemi rënë dakord me ministrin e Brendshëm të Kosovës që do të vëmë një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim dhe kamerat do të regjistrojnë çdo gjë përsa i përket identit të makinës që kalon përmes leximit të targës dhe çdo gjë do të jetë automatike pa pasur nevojë fare të ndalojë në kufi. Kemi bërë edhe planin e punës dhe do të jetë shumë më shpejt sesa fillimi i sezonës”, tha ai.
Ai po ashtu tha se gjatë fundjavës së festave të nëntorit s’do të ketë kontrolla në kufirin Kosovë-Shqipëri.
“Kemi dhënë porosi që të mos ketë kontrolle dhe asnjë pengesë në qarkullim gjatë festës së 28 nëntorit. Besoj se jemi në rrugë të mbarë për të përjetuar një lehtësi qarkullimi pa e kuptuar se ne jemi dy shtete të ndryshme”, tha ai.
Rama – Çuçit e Sveçlës për leje qëndrimin: Pse nuk e hiqni farë këtë pesëvjeçarin?
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kërkoi nga dy Ministrat e Punëve të Brendshme, atij të Kosovës dhe Shqipërisë, Xhelal Sveçla e Bledi Çuçit, ta heqin leje qëndrimin pesëvjeçar.
“Pse nuk e hiqni fare këtë pesëvjeçarin?”, pyeti Rama, dy ministrat.
“Këtë lejën pesë vjet pse e bëni, do martohen njerëzit për bashkim familjar dhe pas pesë vjetësh të vijnë prapë t’ju informojnë. Pse nuk e hiqni, e marrin lejen për t’u martuar nga familjare, juve t’ju njoftojnë që janë martuar dhe kanë vendosur të jetojnë Kosovë ose Shqipëri. Ju jepni lejen e qëndrimit pastaj pse duhet të vijnë prapë tek ju pas pesë vjetësh?”, tha Rama.
Fjalën e mori Xhelal Sveçla për t’u përgjigjur i cili tha: “Leja pesëvjeçare do të vlejë për studentët, për të punësruarit, ‘por kjo s’nënkupton se ai pas pesë vjetësh të kërkojë leje prapë’.
“Hiqeni fare këtë pesëvjeçarin”, tha sërish Rama.
Kurti prezanton marrëveshjen për lehtësirat doganore: Të sillemi si diplomatë, por të punojmë si patriotë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive kërkoi që të flitet si diplomatë por të veprohet me patriotizëm. Kurti tha se si patriotë duhet t’i forcojmë dy shtetet tona.
Shefi i ekzekutivit kosovar deklaroi se progresi i marrëveshje duhet të shoqërohet me cilësinë në zbatimin e tyre sepse janë sa me rëndësi ekonomike aq edhe historike.
Kurti: Të sillemi si diplomatë e të veprojmë si patriotë
“Tani të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do ishte marrëzi. Të thuash se jemi të lumtur se jemi dy shtete se kështu jemi më të fortë do të ishte sa teprim, por aq edhe shkurtpamësi. Të thuash se angazhohesh për bashkim kombëtar do të të shquanin për nacionalist, e të thuash se do të bashkohemi në BE të shquajnë për diplomat. Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm kështu që të flasim si diplomatë dhe të veprojmë si patriotë. Si diplomatë jemi të vetëdijshëm dhe të qartë se mbledhja është në horizontin e integrimit. Integrimi ynë mes shteteve tona është edhe strategjik edhe më tepë, qëllimor. Progresi i marrëveshje duhet të shoqërohet me cilësinë në zbatimin e tyre sepse janë sa me rëndësi ekonomike aq edhe historike. Si patriotë duhet t’i forcojmë dy shtetet tona”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës u ndal dhe të projekti i hekurudhës mes Durrësit dhe Prishtinës për të cilën tha se do të forconte shqiptarët në aspektin gjeopolitik por do të ndihmonte edhe vendet fqinje.
Kurti: Hekurudha Durrës-Prishtinë forcon shqiptarët
“Linja hekurudhore Prishtinë-Durrës është cilësi dhe shpejtësi në qarkullim njerëzish dhe mallrash. Është ekologji dhe fuqi e tokës në det. Është rritje e rëndësisë së portit kryesor të shqiptarëve. Lidhja hekurudhore është e sa një rëndësie ekonomike por edhe gjeopolitike e cila e rrit dhe forcon shqiptarët por edhe ndihmon rajonin sepse ne jetojmë në rajonin tonë e me fqinjët tanë me të cilët kemi të kaluar të përbashkët por edhe do ta ndajmë të ardhmen”, tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit kosovar prezantoi edhe marrëveshjen për lehtësimin e procedurave doganore që parasheh vendosjen e zyrës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit dhe në Porto Romano.
Kurti: Zyrë doganore në Durrës dhe Porto Romano
“Po prezantoj marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore ose të kontrollit hyrje-daljeve të mallrave. Qëllimi i kësaj marrëveshje është zbatimi i lehtësirave, thjeshtësimi i procedurave doganore, dhe zvogëlim i kohës së pritjes në pikat e kalimit kufitar Kosovë-Shqipëri. Kjo marrëveshje parasheh vendosjen e zyrës doganore të Republikës së Kosovës në zonën doganore të portit të Durrësit dhe Porto Romano dhe thellomini bashkëpunimit në mes të dy vendeve të procedurave doganore dhe kontrollit të hyrje-dalje të mallrave”, prezantoi Kurti.
Ministri Svelça tregon tre marrëveshjet me Shqipërinë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur, në mbledhjen mes dy qeverive, tre marrëveshjet e Ministrisë së Brendshme kosovare me atë shqiptare.
Tre marrëveshjet janë lëvizja e lirë me leje kalimi të veçantë deri në 30km në secilën anë banorët e kufirit, rikategorizimi i pikës Krushevë-Shishtavec nga kategoria C në atë BE, si dhe marrëveshja për lehtësimin e procedurave për marrjen e lejeqëndrimeve.
“Do definohet lëvizja e lirë e brezit kufitar. Ndarja e kufirit ndau në mënyrë të pamëshirshme familje, farefise, shoqëri e zona kulturore që kishin jetuar bashkë për shekuj me radhë. Banorët do kenë mundësi të lëvizin lirshëm me leje kalimi të veçantë deri në 30km në secilën anë. Lëvizja e lirë do ta ringjallë atë komunitet kulturore e ekonomik, dhe do lehtësojë jetën e banorëve të brezit kufitar, të cilët kanë lidhje familjare mes tyre. Do hapen pika kufitare të përkohshme kalimi kudo që të paraqitet nevoja. Do zhvillohet ekonomia dhe tregjet lokale do rriten shërbimet mes dy vendeve. Marrëveshja 2 është ajo për rikategorizimin epikës Krushevë-Shishtavec. Nga kategoria C do kalojë në kategorinë B. Do bëhet pikë e rregullt e kalimit kufitar me kapacitet të plotë pune dhe do të punojë në 24/7 për trafik të udhëtarëve, dhe posaçërisht atyre shtetasve të huaj, mjeteve dhe mallrave jokomerciale. Marrëveshja për lehtësimin e procedurave për marrjen e leje-qëndrimeve, e cila do prodhojë lehtësim në marrjen e leje-qëndrimit të përkohshëm që tani do merret për 5 vite. Do ketë lehtësim dhe heqje të barrierave burokratike”, deklaroi Svelça.
“I dashur Edi, edhe kur bie shi, ne themi se dita do të jetë me bereqet”, fjalimi i Kurtit në Elbasan
Ka nisur në Elbasan mbledhja e 7 e përbashkët mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Elbasan.
Në këtë mbledhje priten të firmosen disa marrëveshje mes dy shteteve.
Mbledhjen e nisi Rama i cili tha se “Do kishim dashur t’iu prisnim me diell por shpresoj që gjithë ky shi dhe gjithë këto pika që kemi mbi kokë të jenë shi që të jemi bashkë. Ky është takimi i shtatë mes dy qeverive dhe sot mblidhemi pas një viti sfidues për shkak të pandemisë”.
Në fjalën e kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, ai tha se në këtë shi në Kosovë e kemi bereqet.
“I nderuar kryeministër i Shqipërisë, zotëri Edi Rama, i dashuri Edi, të nderuar ministra të Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, ne shqiptarët jemi njerëz optimistë, edhe kur dita nuk është me diell dhe bie shi, themi të jetë me bereqet“, tha Kurti.
Ndërkaq, bëjmë të ditur se për ndryshe nga herat e tjera, ku tryeza ishte e rrumbullakët kësaj here ishte më ndryshe.
Rama: Njohje për pensionet, sigurimet shoqërore dhe diplomat e studentëve në Kosovë dhe Shqipëri
Kryeministri Edi Rama ka thënë gjatë mbledhjes së qeverisë shqiptare me atë të Kosovës se disa nga marrëveshjet që do të firmosen janë njohja e pensioneve, sigurimeve shoqërore dhe diplomat e studentëve në dy shtetet.
“Marrëveshja që kemi sot para nesh për firmë lehtëson procedurat për marrjen e një leje qëndrimi automatike që është fare e natyrshme por u desh të uleshin dhe ta materializonin. Krijohen kushte shumë më të favorshme për të dy anët e kufirit për aksesin në tregun e punës. Për bashkimin e shqiptarëve në një hapësirë të vetme ku shqiptarët mund të punojnë dhe të dalin në pension dhe të përfitojnë kontribut pavarësisht se ku janë në Shqipëri apo Kosovë. Njohja e sigurimeve shoqërore jep një mesazh për garantimin e çdo qytetari për të punuar dhe jetuar në cilëndo anë të kufirit. Të diplomuarit në universitetet tona do kenë njohje reciproke të diplomave në mënyrë elektronike.
Hiqet edhe diskrecioni i përgjigjes sipas dëshirës dhe mosdëshirës së burokracisë në të dy anët. Është marrëveshje inovatore. Bashkëpunimi në fushën e arsimit është konsideruar prej të dyja qeverive prioritet dhe paraprija e thellimit të këtij bashkëpunimi si nevojë urgjente për të fuqizuar kapitalin tonë njerëzor është detyra jonë. Pas nisjes së punës për hekurudhën nënshkruajmë një memorandum bashkëpunim për të filluar studimin e fizibilitetit për hekurudhën Durrës Prishtinë. Sot ne jemi besoj me të drejtë të lehtësuar sepse hedhim një hap konkret. Jemi të bindur që në varësi të këtij studimi do të mund të prezantojmë këtë projekt për të aksesuar fonde nga plani europian i investimeve.
Nga ana tjetër jemi shumë të qartë që në dy anët kemi nevojë të përmirësojmë kushtet për hapjen e tregjeve. Jemi të vetëdijshëm që një pjesë e rëndësishme e kësaj problematike janë çështje burokratike. Më vjen mirë që firmosim sot për lehtësimin e kalimit doganor. Kemi gjetur një rezonim të plotë bashkë me kryeministrin. Jemi në kushtet kur realisht kemi një mundësi që të hapim më shumë hapësira që shërbimet konsullore të Shqipërisë dhe Kosovës të krijohen në godina të përbashkëta.
Është një racionalizim edhe i shpenzimeve sepse në këtë mënyrë mund të paguajmë më pak për të pasur hapësirat. Dhe mund të punojmë më shumë për mbajtjen gjallë të nevojave që duhen adresuar në pjesën jashtë kufijve me diasporat tona. Koordinimi mes nesh është themelor dhe këto marrëveshje kanë një karakteristikë dhe nuk janë marrëveshje të radhës që rrezikojnë të mbeten në kalendat greke. Sot është nevoja për të zbatuar ato masa në mënyrë që nga gjithë dakordësitë në letër të kalohet në realitet tjetër në terren për mallrat dhe shërbimet që hapësira e përbashkët të jetë realisht hapësirë e përbashkët”, tha Rama.
Propozimi i Ramës për Kurtin: Të kemi një abetare të unifikuar të gjuhës shqipe!
Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Shqipëri-Kosovë që po mbahet këtë të premte në Elbasan, Kryeminsitri Edi Rama propozoi krijimin e një abetareje të unifikuar për Shqipërinë dhe Kosovën.
“Ne kemi dakordësuar në qeveri në mbledhjen e fundit që të punojmë që në vitin e ardhshëm që është dhe jubilar për pavarësinë e vendit tonë të kemi gati abetaren e unifikuar.
Abetarja është një libër themelor për këdo që hyn në rrugën e arsimit… Me shumë kënaqësi dua që ta ndajmë së bashku këtë objektiv, në mënyrë që nëse biem dakord sot, të kemi një abetare të gjuhës shqipe në Shqipëri në Kosovë, e më pas ta kemi në të gjithë trojet apo në të gjithë hapësirat ku fëmijët mësojnë gjuhën shqipe.
Do na duhet një punë cilësore për të bërë një libër të shenjtë laik të gjithë shqiptarëve” – tha Rama.
***
Në Elbasan janë bërë baskë kabinetet qeveritare nga Shqipëria dhe Kosova.
Kjo është mbledhja e shtatë me radhë e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
16 marrëveshje pritet të nënshkruhen në këtë mbledhje.

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shqipëri-Kosovë mbahet në Elbasan
Dy qeveritë e Shqipërisë dhe e Kosovës këtë të premte zhvillojnë mbledhjen e radhës të përbashkët.

Mbledhja mes dy qeverive do të zhvillohet në Elbasan, ku delegacioni i Kosovës pritet që të mbërrijë rreth orës 09:45.
Ndërkohë sipas agjendës së bërë publike, mësohet se përveç mbledhjes së përbashkët me të gjithë kabinetin qeveritar do të ketë dhe një takim mes dy kryeministrave Edi Ramës dhe Albin Kurtit.
Agjenda e plotë:
09.45 – Mbërritja e delegacionit të Republikës së Kosovës
10.00 – Mbërritja e Z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës
10.10 – Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy Qeverive Shqipëri-Kosovë
Fjalë e Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
Fjalë e Z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës
Fjalë të shkurtra nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim
Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë përmbyll sesionin plenar
11.20 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare
11.30 – Konferencë e përbashkët për shtyp e dy Kryeministrave
12.10 – Drekë zyrtare shtruar nga Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, në nder të Z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe delegacioneve të dy Qeverive
13.10 – Forumi i Biznesit Shqipëri – Kosovë.
Kjo do të jetë mbledhja e 7-të e përbashkët mes dy qeverive, ku pritet të nënshkruhen edhe disa marrëveshje të rëndësishme.
Në mbledhjen e dy qeverive marrëveshjet të cilat do të firmosen, do të prekin fusha si ekonomia, bashkëpunimi diplomatik dhe konsullor, arsimi, drejtësia, shkenca apo kultura./Botapress.info/