[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Këto janë kushtet e Nismës qe të përfshihet në dialog me Serbinë



Nisma për Kosovën shprehet e gatshme qe të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë, por për këtë ajo ka vendosur disa kushte. Sekretari i partisë se Fatmir Limajt, Bilall Sherifi thotë se përpara se opozita të përfshihet në dialog me Serbinë, duhet fillimisht qe qeveri ta pranoj publikisht se:

“Politika nënshtruese ndaj Serbisë ishte e gabuar. Dialogu sipas kushteve dhe vetëm për interesat të shtetit të Serbisë të ndërpritet menjëherë. Vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Pas zgjedhjeve të ndërtohen institucionet që do të jene rezultat i vullnetit të popullit. Legjislatura e ardhshme të ndërtojë një strategji për të biseduar me Serbinë”, ka thënë Sherifi për ‘Indeksonline’.

Duke folur për dialogun me Serbinë, zyrtari i lartë i Nismës thotë se ky dialog i filluar në vitin 2011 nga qeveria Thaçi 2, nuk e përdori asnjëherë si mjet për forcimin e shtetit të Kosovës dhe nxjerrjen e Serbisë nga veriu i vendit, por për forcimin e pushtetit të tij personal.

“Edhe pse formalisht justifikimi i fillimit të dialogut ishte normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në fakt ndodhi e kundërta, ky proces normalizoi dhe legalizoi prezencën e Serbisë në Kosovë. Ky lloj dialogu solli një mori marrëveshjesh të dëmshme për sovranitetin dhe integritetin e vendit. Në veçanti marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe dëmtoi rëndë dhe ktheu mbrapa integrimin e pakicës serbe në Kosovë”, ka shtuar ai.

Në vend qe qeveria të japë llogari për dëmet qe i kanë sjellë vendit përmes këtij dialogut, sipas tij, ata pa fijë turpi bëjnë ftesë që edhe opozita t’i bashkohet në veprimet e tyre siç thotë ai të dëmshme për vendin.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa kanë ripërsëritur idenë për përfshirjen e opozitës dhe shoqërisë civile në dialog me Serbinë. Në të kaluarën pjesë e dialogut ishte edhe AAK nëpërmjet ish nënkryetarit të këtij subjekti, Blerim Shala.