[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kështu e kujton Hafiz Gagica presidentin Ibrahim Rugova (Foto)



NË KUJTIM TË LIDERIT TONË NACIONAL DHE HISTORIK, DR. IBRAHIM RUGOVËS!

Kujtimi për liderin tonë nacional, presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, është më shumë se një eveniment përvjetori që i kushtohet jetës dhe veprës së tij, sidomos në këtë kohë, kur Kosovën e ka përfshirë një krizë e thellë politike, brendapërbrenda dhe jashtë saj, e atakuar nga provokimet agresive të Serbisë!

Kujtimi për Presidentin, gjithherë më vjen i përzier me dhimbje dhe krenari, sepse mungesa e tij fizike, urtësia dhe komunikimi i afërt që kishte me bashkëpunëtorët e tij, na mungojnë sot më shumë se kurrë!

Filozofia politike dhe kombëtare buronin nga thellësia e shpirtit të tij human dhe liridashës, ishte një burrështetas shumë i vendosur në marrjen e vendimeve kyçe për fatet e Kosovës dhe lirinë e saj, ishte lider nacional dhe për çështje kruciale me interes nacional nuk e bënte as më të voglin lëshim, sidomos në takime me liderë botërorë, sepse realizimi i plotë i pavarësisë së Kosovës ishte ëndrra e tij më sublime !

Presidenti Rugova, e dinte mirë se pavarësia e Kosovës ishte një kompromis i dhimbshëm për shqiptarët, por bashkërenditja e hapave diplomatik më miqtë ndërkombëtarë, në radhë të parë me SHBA-të dhe aleatët e saj, ishte prioritet dhe koncept kyç në rrugën e arritjes së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës!

Presidenti, iku duke u bërë pjesë e pavdekshme e historisë sonë kombëtare, në ditët e një acari të ashpër që mbretëronte ato ditë në Prishtinë, më 21 Janar 2006, për të na lënë një boshllëk të madh në rrugëtimin tonë të vështirë, sepse mungesa e liderit shpirtëror dhe politik, çdo ditë vjen e bëhet më e rënd, në veçanti kur misionin e tij nacional nuk kishte kush ta çonte më tutje, së paku duke e ndjekur rrugën dhe filozofinë e tij intelektuale dhe politike.

Presidenti së bashku me popullin e Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij, arriti ta gjunjëzonte dhe demaskonte para opinionit ndërkombëtar politikën shekullore serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Shpeshherë e përsëriste mendimin, “se shtëpia nuk mbahet pa miq, se miqtë duhet t’i ruajmë, dhe nuk duhet as t’i zhgënjejmë..”, që mjerisht sot 11 viteve qëkur nuk gjendet më fizikisht në mesin tonë, shumë miq tanë perëndimorë janë të zhgënjyer me politikën tonë, sepse udhëheqësit e saj klanorë dhe të papërgjegjshëm nuk i përmbushën detyrat e tyre për të ndërtuar Kosovën shtet të mirëfilltë, ku do sundon ligji dhe sistemi i mirëfilltë demokratik!

Kujtimi për presidentin Ibrahim Rugova, do mbetet i përjetshëm, ndërsa ai me punën dhe vizionin për Kosovën e pavarur, u bë simbol i lirisë dhe paqes, duke i tejkalue kufijtë e Ballkanit, ashtu siç ka hy edhe në mesin e figurave të mëdha botërore, si lider pragmatik, i moderuar dhe si intelektual e krijues letrar, i cili arriti t’i afirmoi aspiratat e popullit të tij për liri dhe pavarësi kudo në Evropë dhe botë!

Pra, kujtimi ynë më i bukur sot për presidentin Ibrahim Rugova, do të ishte pa dyshim, përmbushja e plotë e dëshirave si dhe e vizionit të tij politik dhe kombëtar, për Kosovën e zhvilluar ekonomikisht, të emancipuar, të integruar në Bashkimin Evropian si dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të!!

Lavdi të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Lavdi jetës dhe veprës së presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova!

Hafiz Gagica, Stuttgart-Prishtinë më 21.01.2017

16105622_10211781141227885_526868354951439313_n16142231_10211781143187934_3176977838017614197_n16105541_10211781184668971_4069564910888082257_n