Prokuroria Themelore e Prishtinës ka paraqitë kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tre vëllezërve Murturi, të dyshuar për rrahjen brutale të Imamit të xhamisë së Lupçit të Poshtëm në Podujevë, Zeqir Beqiri.
Tre vëllezërit Murturi ndodhen në paraburgim prej rreth tre muajsh pasi që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje në tentative”. Masa e paraburgimit pritet të ju skadojë me datën 22 tetor, prandaj prokuroria ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit ndaj tyre.
Këtë informacion e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Referuar pyetjes suaj, iu njoftojmë se prokurori i çështjes ka paraqitur kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, në gjykatën kompetente”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Ulaj.
Zeqir Berisha, Imam në xhaminë e Lupçit të Poshtëm të Podujevës, u rrah brutalisht mbrëmjen e 21 korrikut pasi doli nga vetura e tij për ta falë namazin e jacisë. Imami qëndroi rreth tri javë i shtrirë në spital, por akoma ndodhet në pushim mjekësor për shkak të lëndimeve të rënda trupore që i janë shkaktuar. Dy muaj pas sulmit, Imami Zeqir Berisha rrëfeu të hënën ngjarjen ekskluzivisht për Gazetën Express.
Imami Zeqir Berisha nuk është rikthyer akoma në xhami sepse gjunjët nuk i janë shëruar, kësisoj nuk po arrinë që të bëjë namaz.
Nga goditjet e forta, Imamit i është çarë edhe kafka, ka pësuar lëndime në fytyrë, në dorë dhe në gjunjë.
Imami Zeqiri tha se ka pasur mospajtim me vëllezërit Murturi për mënyrën e faljes së namazit, të cilët sipas tij i ka këshilluar të falen njësoj sikurse xhemati që të mos krijohet përçarje.
“Kam pas mospajtim me këtë grupin vehabist që është shumë i papërgjegjshëm, e kam këshilluar që të falen sikur ne mos të në bajnë ngatërresa e përçarje në xhemat. Mirëpo ata kanë vazhduar avazin e tyre”, shtoi ai.
Rrëfimin e plotë të tij mund ta lexoni duke klikuar KËTU.