Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir AbdixhikuLDK po ndjek një politikë më të maturPropozimi i LDK-së legjitim por vetëm parime dhe jo zgjidhje Kryeministri Albin Kurti ditë më parë është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.
Ky takim është bërë me ftesë të Kurtit, të cilën Abdixhiku e kishte pranuar javën e kaluar.Kurti vazhdimisht kishte deklaruar se për çështjet me interes kombëtar, përfshirë dialogun, do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim me partitë dhe liderët opozitarë.
Ndryshe, Kurti më parë takoi edhe liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Ky i fundit i kërkoi Kurtit përfshirjen më të madhe të SHBA-ve në dialogun me Serbinë.
Ndërsa, Abdixhiku nga ky takim, bëri të ditur se Kurtit i kanë dorëzuar edhe një ofertë me qëndrimin politik të LDK-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“E bëmë një kërkesë që qeveria të tregojë pozicionin politik dhe ta prezantojë në Kuvend. Kosova duhet të dijë se cili është qëndrimi i qeverisë në dialog dhe po presim një pozicionim të tillë”, deklaroi ai.
“E bëmë një ofertë ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik që Qeveria e Kosovës duhet ta ketë. Kryeministri e ka një dokument, pozicionin politik të LDK-së që duhet ta trajtojë në dialog në Bruksel. Ky dokument përmban parime që Kosova duhet t’i mbrojë”, ka thënë Abdixhiku.
Ndër të tjera, ai në ofertën për dialog ka kërkuar nga Kurti që qeveria të dalë me qëndrim për dialog, që SHBA-të të ketë përfaqësues në dialog, që marrëveshja finale të ketë njohjen nga Serbia.
E lidhur me këtë ofertë, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.
“Të diskutohet me administratën amerikane”
ImageNjohësi i çështjeve politike, Fadil LepajaFOTO GALERI
Kështu, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se LDK tani po ndjek një politikë më të matur, e cila do të sjell këndelljen e kësaj partie.
Sipas Lepajës, kjo kërkesë duhet diskutuar përmes kanaleve diplomatike me administratën amerikane, dhe nëse ka interesim të bëhet edhe kërkesë zyrtare.
“Sidoqoftë, bashkëpunimi i opozitës me qeverinë në çështje nacionale është me interes për qytetarët e vendit. Parimisht, LDK, me kryesinë e re po ndjek një politikë më të matur dhe më parimore se e kaluara. Z. Abdixhiku me ekipin e tij po e përdorin një retorikë shumë më të sofistikuar dhe mendoj se kjo do të sjell këndelljen e kësaj partie, përkundër faktit se një pjesë e grupit parlamentar apo kryesisë ende nuk po arrin të heq energjinë e keqe nga komunikimi. Kërkesa për një përfaqësues special të SHBA-së për dialogun edhe pse parimisht nuk paraqet asnjë problem, mendoj se duhet të diskutohet përmes kanaleve diplomatike me vet administratën amerikane dhe vetëm nëse ka interesim e gatishmëri që ajo të përfshihet drejtpërdrejt, atëherë të bëhet edhe kërkesa zyrtare”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka theksuar se propozimi i LDK-së është legjitim dhe se tani LDK duhet të orientohet në administratën e tashme amerikane dhe të përshtaten me frymën tjetër, ndërsa edhe insistimi në dialog për përmirësimin e marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Kosovës, është pikë referimi për qeverinë por edhe për LDK-në.
“Mendoj se prezenca e administratës në dialog është evidente edhe kur nuk është formale. Sidoqoftë, propozimi i LDK-së është legjitim dhe qeveria besoj se mbështetjen amerikane e ka prioritetin më të lartë. Është me rëndësi që edhe LDK-ja të orientohet për ndryshime dhe të përshtaten me frymën tjetër në vet administratën e tashme amerikane për dallim nga ajo e z.Trump. Natyrisht, insistimi në dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes Kosovës dhe Serbisë i cili do të përfundonte me njohje reciproke, është pikë referimi për qeverinë edhe për LDK-në si opozitë dhe në çështje të tilla nuk ka opozitarizëm, por ka vetëm rreshtim në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë ose kundër”, ka deklaruar Fadil Lepaja.
“Vetëm parime për dialog, jo zgjidhje”
Ndërsa, juristi Blerim Burjani, ka deklaruar se në ofertën e LDK-së janë vetëm disa parime për dialog, për të pasur qëndrim më tepër në dialog, por nuk është propozim i zgjidhjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Ajo që ka dërguar LDK-ja nuk është ndonjë zgjidhje e propozuar, por ka dhënë disa parime për dialog dhe është transmetuar nga LDK-ja si dokument për zgjidhje dhe qëndrim më tepër politik ndaj dialogut, por jo edhe propozim i ndonjë zgjidhje se si do të duket një marrëveshje e ardhshme Kosovë-Serbi. Pra, oferta është parime por jo zgjidhje”, ka deklaruar Blerim Burjani./Botapress/