Korporata Energjetike e Kosovës përmes një njoftimi për media ka thënë se furnizimi me energjinë elektrike në të gjithë vendin është stabil, pavarësisht shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit nga i cili ftohen termocentralet A dhe B.
Në njoftimin e KEK-ut, është bërë e ditur se po operon normalisht, ndërsa ka siguruar 150 megavat (MË) nga Shqipëria nëse nevojiten për t’i shfrytëzuar.
Njoftimi i plotë i KEK-ut:
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin se, pas marrjes së njoftimit për sulmin terrorist në kanalin e Iber Lepencit, nga ku furnizohet Termocentrali (TC) Kosova B, janë ndërmarrë veprimet e mëposhtme:
• KEK, Ministria e Ekonomisë (ME), dhe Njësita për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP) janë takuar për të analizuar situatën e furnizimit me ujë për operimin e termocentralit dhe për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike.
• Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME), KRU Prishtina (në koordinim me të gjitha KRU-të), janë mobilizuar me pajisje si autobote (cisternat e ujit) për të siguruar furnizimin e termocentralit me ujë në rast nevoje dhe për të garantuar rezervat e nevojshme të ujit.
• Po vazhdon koordinimi i ngushtë me zyrtarët e Iber Lepencit për mbarëvajtjen e sanimeve dhe riparimeve.