[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

KEDS’i e shkyç nga rrjeti fabrikën e ujit, edhe pse nuk ka borxhe



Avdullah Bajra ka investuar krejt mundin e tij në fabrikën e ujit, por e ka pezulluar punën si pasojë e shkyçjes së rrymës nga KEDS-i.

Pronari është i habitur pse biznesi i tij është shkyçur, pasi i ka të shlyera të gjitha detyrimet ndaj KEDS-it, raporton KTV.

Përveç kësaj, ai edhe derisa ishte i kyçur në rrjet, kishte pasur probleme me tensionin e ulët të rrymës, çka ia ka vështirësuar punën në vazhdimësi.

Thotë se ka investuar në korrektor, madje edhe në panele solare, në mënyrë që të rritet tensioni i rrymës, por tash as ato nuk kryejnë punë.

Bajra thotë se ka kërkuar nga KEDS-i që të bëjnë një zgjidhje, por këta të fundit ia kanë rekomanduar të investojë vetë në rrjet.

E, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka pranuar që e kanë shkyçur këtë biznes nga rrjeti me arsyen se po shpenzon shumë dhe po i bën jofunksionale asetet elektroenergjetike ekzistente për konsumatorët tjerë.

Buzhala më tutje thotë se konsumatori në këtë rast ky biznes, ka pëlqimin që të investojë vetë në rrjet.

Ai ka thënë se fabrika do të kyçet në rrjet, por sërish mund të shkyçet nëse konsumon rrymë, aq sa t’i lërë pa të shtëpitë e fshatit.

KTV ka kërkuar deklaratë edhe nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik se a ka ndonjë kompetencë për të menaxhuar me të tilla situata apo gjithçka është në duar të KEDS-it, por askush nga zyrtarët e kësaj ministrie nuk ka kthyer përgjigje.

Në këtë fabrikë të ujit punojnë mbi 20 punëtorë, por me telashet që aktualisht ka, pronari thotë se mund ta ndërpresë prodhimin tërësisht.