Katër ministri me asnjë cent investime kapitale për 6 mujorin e parë të vitit 2022, reagon Oda e Afarizmit të Kosovës

Sipas Raportit Financiar të Thesarit të Republikës së Kosovës, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, investimet kapitale kanë qenë vetëm 9% apo më të ulëtat në dhjetë vitet e fundit. Lidhur me këtë raport, i cili shpërfaq rënien ekonomike që pastaj përkthehet në varfëri ka reaguar edhe Oda e Afarizmit të Kosovës.

Kryetari i OAK-së, Skënder Krasniqi në një prononcim për Gazetën tha se janë të shqetësuar për pamundësinë e Qeverisë për t’i rritur investimet, derisa shtoi se institucionet e Kosovës kanë bërë shumë pak në krahasim me kërkesat dhe nevojat e bizneseve

“Ne si dhomë e industrisë dhe tregtisë së Kosovës jemi të shqetësuar për pamundësinë që Qeveria e Kosovës t’i rritë investimet, sidomos kapitale por edhe mos realizimi i disa kërkesave të dhomës së industrisë së Kosovës gjatë këtij viti por edhe vitit të kaluar ka qenë që t’i mbështes më shumë bizneset me kredi të buta me kredi me afate të kthimit deri në 10 vjet në mënyrë  që të ketë biznesi shumë më shumë qarkullim në përmbushjen e obligimeve të tyre siç janë pagat dhe investimet që bëjnë

“Në këtë drejtim institucionet e Kosovës kanë bërë shumë pak në krahasim me kërkesat dhe nevojat e bizneseve por edhe që të investojë më shumë në treg. Të gjitha shtetet e rajonit gjatë gjithë kësaj kohë kanë marrë vendime të ndryshme që i kanë nda shumë më shumë se Qeveria jonë ndihmë bizneseve. Është krizë edhe prej pandemisë por edhe lufta në Ukrainë ka ndryshu shumë rrjedhën e investimeve dhe rritjen enorme të çmimeve” – tha ai për Insajderin.

Më tutje, Krasniqi theksoi se Kosova 90 %  e ka statusin import dhe kjo duhet të jete element shtesë që Qeveria të investojë më shumë në treg.

“Fatkeqsisht Kosova 90 përqind e ka statusin import dhe kjo është një dëm shumë i madh, dhe kjo duhet të jetë një element shtesë që Qeveria e Kosovës të investojë më shumë para në treg” – përfundoi Krasniqi.

Ndryshe, ishte Lidhja Demokratike e Kosovës që ditën e djeshme njoftoi se katër ministri e kanë 0% realizimin e buxhetit për investime kapitale.

“Ky raport shpërfaq me fakte dhe numra paaftësinë qeverisëse të pushtetit. Ndërkaq, mosefikasiteti i Qeverisë në realizimin e projekteve kapitale po përkthehet me rënie ekonomike, mbyllje biznesesh, humbje të vendeve të punës, rritje të varfërisë si dhe dëmtim zinxhiror në të gjitha fushat e kapluara nga kriza”, thuhej në njoftimin e LDK-s./Botapress.info/

ngjashme