Komisioni Parlamentar, i përbërë në shumicë nga Lëvizja Vetëvendosje, për anëtare të bordit të KPM-së, e ka vlerësuar më së larti Luljeta Aliun. Ajo është një aktiviste që vitet e fundit ishte kthyer në militante të partisë në pushtet, duke sulmuar mediat dhe këdo që ajo e konsideronte se është kundër Qeverisë Kurti.
Është bërë vlerësimi i kandidatëve që synojnë të bëhen pjesë e bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave. Gjashtë prej emrave të kandidatëve shkojnë për votim në Kuvend, ndërsa zgjidhen tre prej tyre.
KEDS tregon se në cilat vende do të ketë ndërprerje të rrymës
Nga vlerësimi që i është bërë kandidatëve, Luljeta Aliu ka marrë 816 pikë – më së shumti nga të gjithë të vlerësuarit.
Komisioni është përbërë nga Njazi Isaku, kryesues (LVV), Valon Ramadani (LVV), Arbëresha Kryeziu – Hyseni (LVV), Fitim Haziri (LVV), Besim Muzaqi (LVV), Fidan Jilta (nga 6+), Valentina Bunjaku (LDK), Albana Bytyqi (AAK), Mërgim Lushtaku (PDK), Isak Shabani (PDK).
Kandidatja më e vlerësuar e këtij komisionit është e njohur si përkrahëse e flaktë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qeverive të drejtuara nga Albin Kurti.
Aliu prej kohësh ka synuar të bëhet pjesë e KPM-së dhe tani ka dalë para deputetëve, për partitë e të cilëve është deklaruar shumë.
Ajo u vlerësua më së shumti nga deputetët në shumicë të Vetëvendosjes.Raporti nga vlerësimi i bërë sot në Kuvend nuk e ka vetëm nënshkrimin e deputetes Kryeziu – Hyseni.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës. Me Kushtetutën e Kosovës, KPM përcaktohet organ i pavarur. Në bazë të ligjit, KPM-ja licencon transmetuesit publik e privat, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele./Botapress.info/