[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Jusuf Buxhovi: Klasa politike e Kosovës mban përgjegjësi të madhe pse shteti i Kosovës, nuk po ecën si duhet



Adem Lushaj: Intervistë për Botapress me gazetarin, publicistin, historianin dhe shkrimtarin e shquar,  Jusuf Buxhovi

 

Botapress: Njiheni si historian dhe shkrimtar, por siç  dihet, karriera e juaj ka filluar si gazetar, së cilës i keni mbetur besnik deri në fund.

J.Buxhovi: Është e vërtetë se puna ime me shkrime është e lidhur edhe me atë të gazetarit. Në fillim të viteve të gjashtëdhjeta, kur po i bëja hapat e parë në letërsi, vjershat e para zunë të shoqërohen edhe me disa shkrime gazetareske , fillimisht në “Zërin e rinisë” e më vonë në gazetën “Rilindja”. Ato filluan të intensifikohen pasi që e kreva shkollën e mesme (në vitin 1964) dhe u regjistrova në Fakultetin Filozofik (dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe) , ngaqë shkuarja në Prishtinë  krijoi mundësi që të bëhem pjesë e atij vrulli të ri që po shpërthente  dhe po formësohej aso kohe atje. Kështu, nga fundi i vitit 1967,  bashkë me disa krijues të gjeneratës sime (Ymer Shkreli, Gani Bobi, Ibrahim Kadriu, Musa Ramadani e të tjerë), u pranova gazetar i rregullt në këtë gazetë. Vlen të thuhet se rubrika e kulturës, që drejtohej nga Vehap Shita, e ku gjendeshin edhe shkrimtarët e njohur Anton Pashku, Ali Podrimja, Fahredin Gunga, Vehbi Kikaj e të tjerë, kishte imazhin e një  “elite letrar” në rritje e sipër, që ia hapte rrugën modernitetit në letërsinë tonë.

Pak më vonë, kur “Rilindja” filloi të hapë gamën e veprimtarisë së saj edhe në politikën e jashtme dhe kjo po pasqyrohej me dërgimin e disa korrespodentëve të  përhershëm në qendrat e vendosjes (Nju Jork,  Europë, Lindje të Mesme e gjetiu), u caktova korrespodent i përhershëm i kësaj gazete në Bon të Gjermanisë. Punën e korrespodentit të akredituar te qeveria gjermane e fillova  në vjeshtën e vitit 1976. Shkuarja ime në Bon kishte një rëndësi të madhe jo vetëm gazetareske, por edhe kulturore dhe shkencore, ngaqë atje, gjatë punës sime hulumtuese, duhej të kaloja doemos edhe nëpër arkivat gjermane, ku ndodhen shumë nga dokumentet që kanë të bëjë me historinë tonë, veçmas atë të Rilindjes Kombëtare. Sprovën e parë me këto dokumente e pata me rastin e shkrimit të një fejtoni rreth Kongresit të Berlinit, me rastin e  shënimit të100 vjetorit,  me ç’rast, duke u bazuar në dokumentet autentike, dhashë një informacion rreth trajtimit të çështjes shqiptare në këtë Kongres, me theks të veçantë te letrave, peticioneve dhe relacioneve të tjera që kishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit me diplomacinë evropiane, sidomos atë gjermane, që asokohe me Bizmarkun luante rolin e “maklerit” politik. Ky fejton , që pati jehonë të madhe  në opinion in tonë por edhe në qarqet akademike për faktin  se për herë të parë dilte një e vërtetë tjetër nga ajo që historiografisë sonë i ishte plasuar nga Akademia e Beogradit,  bëri që, çështjeve të prekura nga problematika gazetareske,  t’u kthehem  edhe nga qasja historiografike. Meqë kisha regjistruar studimet pasuniversitare në degën e Historisë, në vitin 1979, puna ime hulumtuese  u kurorëzua me studimin “Lidhja shqiptare e Prizrenit në dokumentet gjermane”,  si temë magjistrature. Punën hulumtuese shkencore nëpër arkivat gjermane e vazhdova edhe më tutje, duke vjelë mbi katër mijë  dokumente që lidhen me çështjen shqiptare nga Kriza Lindore e deri Lufta e Dytë Botërore. Në saje të kësaj pune ia dola që ta përfundoj studimin tim të paraparë si temë doktorature (Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878), të cilin e botova në vitin 2012. Studim monografik, shoqërohet edhe me  protokollet origjinale  të seancave të Kongresit të Berlinit në gjuhën frënge, atë gjermane si dhe përkthimin në gjuhën shqipe.

Këto dokumente, sidomos protokollet origjinale të Kongresit të Berlinit, kanë një rëndësi të madhe për historiografinë tonë, ngaqë rrënojnë propagandën e historiografisë serbe, të ndërtuar me dokumente të retushuara rreth Kongresit dhe relacioneve me shqiptarët që dolën nga andej.

 

Botapress: Thatë se gjatë punës hulumtuese në Gjermani keni hasur në mbi katër mijë dokumente nga arkivat gjermane. Çfarë kanë ndodhur me to kur dihet se  janë me interes për historiografinë tonë për t’u liruar nga “diktati”  i historiografisë serbe, e cila, si dihet, vazhdimisht ka manipuluar me dokumentet strategjike edhe nga shkaku se ka munguar qasja e historianëve tonë nëpër këto arkiva?

J.Buxhovi: Dokumentet e përmendura i ruaj në arkivin tim personal. Mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kam provuar disa herë që atyre t’u bëhet vend në arkivat tona, por nuk ia kam dalë, ngaqë as Arkivi i Kosovës e as ai i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës nuk kanë treguar gatishmëri që atyre t’u qasen me profesionalizëm dhe garanci sigurie, çfarë u duhet dokumenteve të tilla!

Kjo sjellje është për keqardhje kur dihet se në vitet e shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta, ishin institucionet tona akademike (Universiteti i Kosovës, Arkivi i Kosovës, Instituti i Historisë dhe sidomos Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës), të cilat kërkuan që të të futesha në arkivat gjermane dhe atje të hulumtoja në mënyrë që nga andej të sjellja dokumentet origjinale.

Akademik Idriz Ajeti, asokohe kryetar i Akademisë si dhe akademik Ali Hadri, drejtor i Institutit të Historisë  më dhanë autorizime me shkrime që të merresha me punë hulumtuese nëpër arkivat gjermane. Njëjtë veproi edhe Arkivi i Kosovës, të cilit, në vitin 1989 ia dorëzova mbi 500 dokumente origjinale që lidheshin me Kongresin e Berlinit.

Kjo, pra,  tregon gjendjen në të cilën ndodhemi edhe pse e kemi shtetin tonë!

 

Boni zyrtar ka ndjekur nismën amerikane, që Kosova të mos i kthehet Serbisë

 

Botapress: Në  “Kthesën Historike 1”, por edhe në veprën “Kosova” në pesë vëllime, flisni edhe për raportet historike gjermano-shqiptare si dhe për qëndrimin  e shtetit gjerman rreth Kosovës dhe çështjes së saj edhe në kohën e Tito-s dhe këndej, duke u përqendruar edhe te  faktorët   që i hapën rrugë shtetndërtimit të saj.  Ka diçka të veçantë në këtë zhvillim kur dihet se edhe gjermanët ishin të ndarë, por që ia dolën të bashkohen?

J.Buxhovi: Është e vërtetë se në trilogjinë “Kthesa historike” si dhe në veprën historiografike në pesë vëllime“Kosova” i kam kushtuar rëndësi të veçantë qëndrimit gjerman ndaj çështjes shqiptare si dhe raporteve që kanë të bëjë me shtetformimin  e Kosovës nga koha kur ai do të vihet në binarët e pakthyeshëm. Këto dy çështje janë të ndërlidhura ngaqë, siç dihet, interesimi gjerman për çështjen shqiptare në përgjithësi dhe atë të Kosovës  në veçanti, është i hershëm, diku nga shekulli XV (me udhëpërshkrimet  e kalorësit von Harf  nëpër viset shqiptare dhe të fjalorëthit të tij shqip-gjermanisht prej 52 fjalësh), interesim ky që pastaj, nga shekulli XVII e këndej ka të bëjë me studimet e ndryshme për gjuhën dhe historinë shqiptare nga shumë e shumë gjuhëtarë dhe historianë gjermanë, të cilët ia vunë themelet albanologjisë po edhe të përcaktimit të  origjinës së shqiptarëve me rrënjë në antikitet, gjë që ndikoi edhe në mendimin politik të kohës, që shqiptarët të përfshiheshin në djepin e qytetërimit perëndimor. Po ashtu, edhe interesimi i gjermanëve për Kosovën dhe çështjen e saj, nga vitet e gjashtëdhjeta e tutje, vërehet në rritje, ngaqë sekush e dinte se pas Titos nuk do të ketë më Jugosllavi çfarë ishte ajo që e ndërtoi ai (të painkuadruar dhe zonë neutrale midis dy blloqeve antagoniste). Natyrisht se Kosova dhe tretmani i saj  qoftë edhe si njësi federative me status dual (me kushtetutën e vitit 1974), është konsideruar si një  gjendje kalimtare, që do të mund të rrënohej (sipas planeve serb-sovjetike), në mënyrë që Moska të kthejë hegjemoninë e humbur ideologjike nga vitit 1948 në këto hapësira, ose që ajo të kalonte në tërësi në krahun perëndimor, si shtet federativ prej tetë njësive të barabarta, (sipas planeve evropiane-amerikane). Varianti perëndimor, Gjermaninë e ndarë e vente në një pozitë edhe më të veçantë, ngaqë asokohe (në vitet e shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta) , në hapësirën e saj, me shfaqjen e grupeve marksiste-leniniste të dirigjuara nga Beogradi dhe Moska, kishte filluar sprova e skenarit, që Kosova  të shfrytëzohej si një shkas për kthimin e Jugosllavisë kah Moska, skenar ky që do të përfshinte edhe Shqipërinë. Në këtë lojë shfaqej opsioni i republikës së Kosovës (ideologjike), po ku nuk mungonte edhe “bashkimi kombëtar” ideologjik i shqiptarëve me mjete revolucionare. Sipas burimeve gjermane, kjo e dyta vinte drejtpërdrejtë nga Moska, e cila parashihte “një fesat” midis  Beogradit dhe Tiranës, e ku pastaj, Moska do të ndërhynte  për hesapet e veta. Opsionet ideologjike (Kosova republikë) ose irredentizmi ideologjik, midis grupeve të ndryshme politike në Gjermani,  kanë qarkulluar në Gjermani deri me bashkimin e saj, kur, siç u tha, filloi edhe procesi i shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe rënies së komunizmit.

Por, duhet thënë se deri  te kjo pikë, Gjermania ruante përcaktimin veriatlanitk. Pra, që Jugosllavia e Titos të mos binte pre e hegjemonizmit sovjetik. Njëjtë mendohej edhe për Shqipërinë e Enverit, sidomos pas largimit të saj nga Pakti i Varshavës në vitin 1968. Politika gjermane e viteve të shtatëdhjeta dhe të te tetëdhjeta, nën socialdemokratët e Brantit dhe Shmitit (1972-1982, dhe nga demokristianët (1982-1998) e Helmut Kolit preferonte krijimin e një “blloku” Jugosllavi-Shqipëri jashtë Paktit të Varshavës, pra jashtë ndikimit të Moskës. Kancelari Shmit, po edhe oponenti i tij Shtraus, kishin kontakte të mira me Jugosllavinë, po ku nuk munguan edhe ato me Shqipërinë (janë të njohura nismat e Shtrausit gjatë vizitave në Shqipëri si dhe bisedave me Ramiz Alinë) rreth ruajtjes së këtij realiteti në Ballkan. Mbas vdekjes së Titos si dhe daljes në skenë të Millosheviqit me hegjemonizmin e tij, Boni zyrtar ka ndjekur nismën amerikane, që Kosova të mos i kthehet Serbisë, pa u përjashtuar këtu mundësia, që në përputhje me zhvillimet e asokohshme në ish Jugosllavi, edhe Kosovës t’i caktohet një status i pavarur, që shfaqej si parakusht për mbajtjen e këtyre dy vendeve në sferën perëndimore.

Ky opsion do të mbahet në një gjendje të tillë deri në kohën e rënies së murit të Berlinit, që solli bashkimin gjerman dhe hapi procesin e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik e me këtë edhe të rënies së komunizmit, me çka merr fund edhe bipolariteti politik. Ky ndryshim ndikoi edhe qëndrimin gjerman që Kosova të projektohej  jashtë tutelës së Serbisë.  Që kjo të bëhej, politika gjermane (ajo e  Gensherit dhe Kineklit), në Kosovë , midis intelektualëve, kërkonte partnerë politikë me orientim properëndimor, të cilën do të jenë në gjendje që këtë proces ta koordinojnë me zhvillimet që shfaqeshin në Jugosllavinë e përfshirë nga shthurja dhe lufta e imponuar nga hegjemonizmi serb.

Në këto rrethana lindi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në themelimin e së cilës gjermanët, fillimisht luajtën  një rol të rëndësishëm,  që pas forcimit të saj (kthimit në një lëvizje kombëtare) do ta marrin amerikanët, të cilët do ta çojnë deri në fund.

 

Botapress: Jeni ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish presidentit Rugova, ndaj edhe me siguri që në biseduat tuaja është trajtuar edhe çështja e  bashkimit kombëtar?

J. Buxhovi: Themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe marrja e përgjegjësisë politike nga ana e intelektualëve që do ta drejtojnë atë, ka qenë fund e krye i ndërlidhur me opsionet perëndimore, pra ato amerikane dhe gjermane, që më vonë do të pranohen edhe nga vendet tjera të aleancës veriatlantike, sipas të cilave Kosova të mos përfshihet në luftë, si dhe Kosova, me vullnetin demokratike të shqiptarëve, siç ndodhi me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kuvendin e Kaçanikut të 7 shtatorit të atij viti, me shpalljen republikë  e pavarur, të nxirret nga tutela e Beogradit, në mënyrë që në fund të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, të vendoset për fatin e saj.

Janë të njohura deklaratat programore të LDK-së dhe partive të tjera politike të gushtit të vitit 1990 rreth tri opsioneve ( të Kosovës republikë nëse mbetet Jugosllavia; të republikës shqiptare brenda për brenda federatës jugosllave,  po qe se do të ndryshojnë raportet e saj të brendshme dhe për mundësinë e bashkimit me Shqipërinë, po qe se shpërbëhet Jugosllavia). Opsioni i fundit, pra bashkimi kombëtar, mund të arrihej në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, konkretisht SHB-atë dhe NATO-n dhe assesi njëanshëm ose me luftë, siç kërkohej  deri më atëherë nga grupet ilegale me përcaktime ideologjike. Pra, kërkohej konsensusi i Perëndimit.  Nga këto opsione, u ndoq ai i shkëputjes nga Serbia, mbi modelin e lëvizjes së rezistencës institucionale  deri te ajo e armatosur (shtetit paralel), prej nga edhe u realizua shteti i pavarur i Kosovës, që është e arritura më e madhe e shqiptarizmit. Kjo e arritur e madhe historike  erdhi falë organizimit tonë  (rezistencës institucionale deri te lufta e armatosur si pjesë e saj) dhe SHBA-ve dhe  NATO-s, që përdorën edhe ndërhyrjen ushtarake kundër Beogradit që

Botapress: Por, ky investim i madh shekullor i  yni dhe i aleatëve tanë, në  radhë të parë SHBA-ve, në vend se të shfaqet si faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë, duket se po rrezikohet nga vetë klasa politike e vendit?…

J. Buxhovi: Për fat të keq tonin, klasa politike e Kosovës, hiq ndonjë përjashtimi të vogël, mban përgjegjësi të madhe pse shteti i Kosovës, nuk po ecën si duhet, pra ka mbetur peng i një keqqeverisje totale, që po e largon gjithnjë e më shumë nga konceptet mbi të cilat u ndërtuar. Kjo klasë politike, jo vetëm që nuk ka qenë e përgjegjshme ndaj betimit për shtetin e Kosovës – vend të liritë, demokratik dhe perëndimor, por ka vepruar kundër këtyre parametrave historik. Së pari, duke e shkelur lirinë e saj. Së dyti – duke e përdhosur demokracinë e saj. Dhe së treti, me hapjen dyerve islamit politik, shteti i Kosovës, si një krijesë perëndimore,  po rrezikon që të kthehet në një kundërshtarë të tij, në radhë të parë SHBA-ve!

Kësaj së keqe ia ka hapur rrugën PDK, e cila i ka ndihmuar  faktorëve radikalë islamikë (puçit vahabist në Bashkësinë Islame të Kosovës ndaj rrymës së deritanishme tolerante ), xhemati i së cilës janë kthyer në klientelë të saj politike. Këtij  veprimi, pak a shumë, i janë bashkuar edhe një pjesë e  LDK-së  dhe VV. Të tri këto parti, po kërkojnë përkrahës politikë nëpër xhami, paçka se kjo  pos që  rrezikon seriozisht harmoninë e brendshme shoqërore, njëherësh  vendin e kthen edhe në poligon të kalkulimeve serbo-ruse kundër interesave gjeostrategjike të perëndimit.

Krahas kësaj, islami politik, me “dekore” fetare  (ezani i zhurmshëm në arabisht, shamitë, ferexhet dhe të tjerat),  gjithnjë në emër të lirisë së besimit, ka filluar  arabizmin e dhunshëm të shqiptarëve, me çka po preket me të madhe edhe identiteti etnik  dhe ai  shpirtëror i shqiptarëve. Ndaj, nuk është e rastit, që edhe në parlamentin e Kosovës fyhen heronjtë kombëtar dhe identiteti ynë kombëtar. Kjo “tolerancë” është tepër e rrezikshme. Ajo duhet ndalë para se të bëhet vonë.

 Botapress: Sjelljen e papërgjegjshme politike si dhe rrezikimin e shtetit të Kosovës nga kjo klasë politik,  që ka gjetur mbështetje edhe te një pjesë e faktorit ndërkombëtar (UNMIK-u, EULEX e të tjerë), me tone tepër kritike,  e keni trajtuar  edhe në romanin tuaj më të ri “Dosja B”, që po shitet me të madhe dhe për tre-katër javë përjetoi dy botime. Mendoni se ka ardhur koha që krijuesit “t’i zbrazin armët e tyre të fundit” në mbrojtje të shtetit të Kosovës nga vetvetja, pra nga brenda ende pa u forcuar mirë? Nuk duket kjo si një klithje dëshpëruese tejet absurde? 

J.Buxhovi: Shkaktarët e të keqes në Kosovë kanë emër dhe mbiemër dhe dihet se kush janë. Në vend se të përgjithësohet kjo e keq dhe të shpërndahet tek të gjithë pa përjashtim, me çka vrasësi dhe viktima barazohen, siç po dëgjohet këto ditë të thuhet nga ata që për interesa meskine e kanë përkrahur këtë zhvillim, ata duhet të apostrofohen drejtpërdrejt dhe t’u shpallet luftë.  Në këto rrethana që unë i quaj me qenë ose mos me qenë,  krijuesit duhet t’i përdorin “armët” e tyre, që të  mbrohet një ideal për të cilin është derdhur aq mund, dije dhe gjak madje gjatë më shumë se një shekulli. “Dosja B”, vërtetë paraqet një klithmë kundër vrasësve të shtetit të Kosovës, të lirisë dhe të demokracisë, të cilët “meritat e luftës” i kanë përdorur për t’u kthyer në dhunues të paqes, në pushtues të rinj! Por, ajo është edhe një thirrje për një pastrim të brendshëm ndaj kësaj së keqe, që tash po na ngulfat,  së cilës i është ndihmuar në mënyra të ndryshme nga profiterë të shumtë, nga intelektualë e deri te “akademikët”…

…..