Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të përsëritur dhe shumë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës që të shtyjë implementimin e vendimit për targat edhe për një periudhë dhjetë mujore.
Dhjetë vjet burg për kriminelin serb, flet viktima që u dhunua seksualisht nga ai
Dy ditë para 31 tetorit datë kjo kur edhe do të hynte në fuqi implementimi, në një takim në kryeministri me ambasadorët e QUINT-it, Kurti kishte treguar për një propozim të ri të tij për punën e targave që i kapi në befasi diplomatët e huaj.
Siç kishte treguar vetë Kurti ata kishin kërkuar kohë për t’u konsultuar me qendrat e tyre për një propozim të tillë që planifikonte implementim të shkallëzuar të vendimit për targat. Kurti një propozim të tillë e ka miratuar menjëherë pas këtij takimi me ambasadorët në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Menjëherë pas një vendimi të tillë të Qeverisë Kurti, Departamenti Amerikan i shtetit ka lëshuar një komunikatë për media ku kanë shprehur zhgënjimin dh shqetësimin për një vendim të tillë të Kosovës.
Situatën e kanë ngarkuar edhe më shumë zhvillimet e pas 1 nëntorit kur edhe kishte filluar faza 21 ditore e qortimit. Kjo pasi që komandanti rajonal i Policisë në Veri, Nenad Gjuriq, kishte refuzuar implementimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe si rezultat i kësaj ishte suspenduar.
Kjo ka nxitur reagim të ashpër të Beogradit që ka rezultuar edhe më daljen e Listës Serbe nga Kuvendi dhe lëshimin e të gjitha pozitave që serbët mbanin në institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë kryetarë komunash, gjyqtarë, prokurorë, policë e zyrtarë nëpër ministri.
Për një zhvillim të tillë në veri të vendit janë shfaqur tepër të shqetësuar nga Washingtoni. Ndihmëssekretarja amerikane, Karen Donfried, ka thënë se janë tepër të shqetësuar meqë situata në veri ka potencial për shpërthim derisa ka bërë thirrje për qetësi.
Ajo gjithashtu ka treguar se qëndrimi i administratës Joe Biden ka qenë që vendimi për targat të shtyhet plotësisht dhe jo pjesshëm apo të ketë një implementim gradual.
Për situatën e krijuar në veri, kryeministri Albin Kurti në konferencën për media të mbajtur më 7 nëntor në Qeverinë e Kosovës kishte deklaruar se është një situatë e cila vjen si pasojë e përpjekjes së Beogradit për të mjegulluar refuzimin që ata ia kanë bërë propozimit franko-gjerman.
Ndërkohë i pyetur për kërkesën amerikane për targat dhe nëse po prishen raportet me SHBA-në për shkak të vendimit të Kosovës për të mos e pranuar kërkesën e tyre, Kurti në këtë konferencë është shfaqur i irrituar, duke thënë se nuk mund të komentohen raportet Kosovë-SHBA në këtë mënyrë.
Siç thoshte Kurti, asnjë zyrtarë amerikanë nuk e kanë suprizuar dhe se Qeveria e Kosovës është në kontakte të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka terguar se me amerikanët ishin marrë vesh që shtyrja paraprake ka qenë shtyrja e fundit e vendimit për targat.
“A do ta dëgjoni Amerikën, a po prishemi me Amerikën. Nuk kemi ne kështu raporte me Amerikën sikur gjyshi me nipin. Edhe një herë asnjë veprim i yni nuk e ka befasuar asnjë zyrtarë amerikanë, asnjë zyrtarë evropian. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kemi miq dhe partnerë. Nuk ekziston një raport i tillë i ynë. Partneriteti ynë me ta, aleanca jonë me ta, është aleancë që bazohet në vlera dhe në qëllime në vlera të përbashkëta. Ne e kemi shtyrë një herë vendimin dhe jemi marrë vesh që kjo është shtyrja e fundit”, ka thënë Kurti në konferencën për media të mbajtur më 7 nëntor.
Por në një intervistë të dhënë dje për Zërin e Amerikës, Gabriel Escobar, emisar i DASH-it për Ballkanin Perëndimor ka thënë se s’është i vërtetë konstatimi i Kurtit kinse Vuçiq po tenton ta mjegullojë refuzimin e planit franko-gjerman përmes nxitjes së trazirave në Veri të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu Escobar ka thënë se gjithçka që po ndodh, po ndodh për shkak të mungesës së komunikimit dhe mungesës së bashkërëndimit të veprimeve. Emisari amerikan gjithashtu ka thënë se tensionet në veri po rriten edhe për shkak të mungesës së vullnetit për t’u angazhuar në procesin e dialogut.
“Jo nuk mendoj që është kështu. Mendoj se reagimi është në atë se çfarë po ndodhë në terren. Sa i përket propozimit franko-gjerman është shumë herët për ne që të peshojmë përgjigjet. Kjo situatë, kjo krizë duhet të trajtohet për atë që është. Janë tensione që po rriten për shkak të mungesës së komunikimit, mungesës së bashkërendimit dhe mungesës së vullnetit për të marrë pjesë dhe për t’u angazhuar plotësisht në dialog”,ka thënë Gabriel Escobar.
Pas kësaj interviste të Gabriel Escobar, në adresë të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq ka shkuar edhe një telefonatë nga këshilltari special i Antony Blinken, Derek Chollet, i cili ka ndarë zhgënjimin me Vuçiq për refuzimin e Kosovës për të shtyrë vendimin për targat.
Gjithë zhvillimet e fundit dhe kriza në veri është shoqëruar edhe me një udhëzim të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ministrat e Qeverisë së Kosovës që të mos udhëtojnë drejt Shtetetve të Bashkuara. Siç ka thënë ambasadori Hovenier nuk është koha ideale për udhëtime meqë në Kosovë ka krizë./