Në Ditën e të Pagjeturve, 27 Prillin, ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, qëndruan për pak orë në Krushë të Madhe dhe me këtë rast takuan Fahrije Hotin, udhëheqësen e kompanisë “Krusha” që merret me prodhimin e ushqimeve tradicionale bujësore nga këto anë, shkruan Botapress.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ish-presidentja Jahjaga përmes një postimi në Facebook:
Pas punës disa vjeçare të kryer me shumë përkushtim e dashuri, kompania prodhuese ‘Krusha’ e udhëhequr nga gratë e Krushës me në krye, Fahrije Hotin, ka ndërruar lokacion duke u bartur në fabrikën e re- një objekt mahnitës ku prodhimi ndodh me standardet më të larta. Ajvarin e turshitë më të mira të vendit, që nuk bën t’i mungojnë asnjë sofre, i gjeni në prapë në Krushë por tani në fabrikën e re të prodhimit. Produktet dhe mikpritjen e kësaj ane e ndamë së bashku me Ambasadoren Vlora Çitaku gjatë vizitës sonë të përbashkët në Krushë.
Sa herë vij në Krushë shoh ripërtërirjen duke ndodhur! Përgjatë më shumë se dy dekadave të fundit, këtë ripërtërirje e kanë udhëhequr gratë e këtij fshati, të cilat janë dëshmi e gjallë e krimeve të tmerrshme që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë gjatë luftës së 1998-1999.
Gratë e Krushës janë simbol i forcës, guximit, vendosmërisë, dhe vullnetit të pamposhtur njerëzor që nevojitet për të tejkaluar një rrezik ekzistencial dhe për ta shndërruar atë në mundësi për ndërtimin e një të ardhme më të mirë.
Ajvari dhe pinxhuri për dikë-dikë janë ushqime të rëndomta tradicionale që ofron kuzhina jonë, por për gratë e Krushës këto ushqime u bënë arma me të cilën ato kapen fatin në duart e veta dhe i treguan Serbisë dhe të gjithë botës se nuk dorëzohen para asnjë lloj kërcënimi apo krimi!
Gratë e Krushës s’kishin si të bënin ndryshe, sepse janë gra shqiptare- të rritura e të edukuara në frymën e idealit për liri e pavarësi.
Një popull si shqiptarët nuk dorëzohet, nuk zhduket, e nuk shuhet, sepse ai- ndër shekuj- është shquar për guximin, qëndrueshmërinë dhe forcën e të ngriturit sërish lartë sa herë që të tjerët kanë synuar ta mposhtin.
Gjatë luftës, Serbia mbi 140 grave të Krushës ia vrau burrat e djemtë e nganjëherë edhe burrin edhe djemtë, por nuk arriti dot t’ia vras të ardhmën e saj.
Mbesat e Fahrijes, Ema e Bena, janë ripërtërirja, janë e ardhmja, janë dëshmia më e mirë se në çdo ditë po jetësohet amaneti i brezave të tërë që ia dedikuan jetën dhe flijuan atë për lirinë dhe pavarësinë- për Kosovën, për Republikën, ka shkruar ish-presidentja Jahajaga ne Facebook, percjelle Botapress.