Botapress, 4 Qershor – Përparim Rama tashmë është zyrtarizuar si kandidat i LDK-së për Prishtinën. Lajmi është bërë i ditur nga vetë lideri i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ndërkaq Besnik Berisha është emër i propozuar nga ish-lideri i LDK-së Isa Mustafa, shkruan Botapress.
Por cka i dallon dhe cka i bashkon Përparim Ramën e Besnik Berishën?
Përvec profesionit, njëri arkitekt e tjetri jurist (avokat), Përparim Rama e Besnik Berisha kanë edhe dallime të tjera jo vetëm profesionale.
Kandidati zyrtar i LDK-së ka një shkollim të jashtëm dhe biografi të bujshme në profesionin e tij.
Përparim Rama, arkitekti dhe urabanisti me famë botërore
Përparim Rama, u lind në Prishtinë, me prejardhje nga Gollaku, mbanë titullin magjistër shkence në fushën e urbanizmit e arkitekturës. Është edhe ligjërues në universitete të ndryshme botërore; ndër të tjerash në ‘Nottingham University School of Architecture’ e në ‘University of East London’.
Është anëtar i Associacionit të Arkitektëve të Britanisë. Është i martuar me Kristale Rama dhe ka tre fëmijë.
Përparim Rama është arkitekti e urbanisti më i njohur shqiptar – i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë.
Njihet për angazhimin e tij kryesor në planifikim hapësinor të Lojërave Olimpike në Londër në vitin 2012; për angazhimin e tij në ndërtimin e vizionit të Doha’s, kryeqytetit të Katarit; për projekte madhore në Neë York, Dublin, Bazel, Pragë e deri në Damask të Sirisë.
Veprat e Përparim Ramës kanë bërë që për arkitektin kosovar të interesohen edhe mediat më të mëdha botërore, CNN e Bloomberg dhe shumë të tjera.
Avokati dhe milionieri Besnik Berisha
Ndërkaq Besnik Berisha është avokat i njohur kosovar. Ka qenë këshiltar juridik i ish-kryeministrit Isa Mustafa. Atëbotë njihej si zyrtari më i pasur në Qeverinë e Kosovës. Ai ka një pasuri marrëmendëse, e cila arrinë vlerën e përgjithshme prej rreth 17 milionë euro.
Në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit avokati Berisha ka deklaruar pasuri të patundshme në vlerë prej rreth 14 milionë euro, të cilën pasuri e ka bërë pas vitit 2000.
Përveç patundshmërive milionëshe, Berisha ka deklaruar mbi 1.2 milionë euro para të gatshme në bankat komerciale në vendit, si dhe tri vetura në vlerë prej mbi 75 mijë euro.
Përpos pagës së deklaruar nga zyra e kryeministrit prej rreth 7000 euro në vit, Berisha është pronar edhe i disa bizneseve.
Nga kompania e sigurimit ‘Balkan International’, Berisha ka raportuar të hyra vjetore në vlerë prej rreth 300 mijë euro, nga kompania tjetër ‘KSF KS Guards’ ai ka deklaruar mbi 20 mijë euro të hyra, të hyrat vjetore nga avokatura ‘ Besnik R. Berisha’ ka deklaruar rreth 22 mijë euro të hyra dhe 7800 euro në vit i merr qira vjetore nga një antenë e operatorit ‘Vala’.
Duket paradoksale, por Besnik Berisha, edhe gjatë kohës sa ka ushtruar detyrën e këshilltarit të ish-kryeministrit Isa Mustafa, ka qenë edhe avokat mbrojtës i ish-komandantit të UCK-së Azem Sylës, i akuzuar për përvetësim dhe shitje të disa hektarëve tokë në Çagllavicë të komunës së Graçanicës, gjatë 10 vjetëve të fundit, i njohur si procesi gjyqësor “Toka”.
Besnik Berisha ka mbrojtur edhe djalin e Isa Mustafës – Besnikun si dhe Naser Kelmendin– i cili është në listën e zezë të ish-presidentit Barack Obama, shkruan Botapress.