[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Italia mbështet Kosovën, dënon fuqishëm provokimet e Serbisë!



Kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme të Italisë dënon provokimet e Serbisë në Kosovë.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Deputetëve ka takuar sot në mëngjes Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Romë, Alma Lama.

Takimi ka mundësuar që të kuptohet më thellë roli i Kosovës në kornizën gjeopolitike rajonale duke u nisur nga marrëdhëniet aktuale me Serbinë por edhe duke marrë parasysh rëndësinë e përsëritur të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe evoluimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.

Takimi ka shërbyer për të ndarë shqetësimin e të dyja palëve në lidhje me provokimet aktuale nga ana serbe, duke iu referuar episodit të trenit për rihapjen e linjës Beograd-Mitrovicë, i cili mund të shkaktonte një incident të tipit ushtarak nëse nuk do të kishte pasur një reagim të moderuar dhe të matur nga pala kosovare kundrejt sjelljes agresive që është karakteristike e lidershipit aktual serb ndaj Kosovës dhe vendeve në rajon.

Kjo sjellje duket sikur ka pasur si qëllim një destabilizim të Kosovës dhe fragmentizimin e mëtejshëm të opinionit publik të minoritetit serb, i ndarë midis pjesës jugore dhe e integruar në institucione dhe pjesën veriore, të orientuar nga Beogradi.

Presidenti Cicchitto theksoi solidaritetin maksimal dhe mbështetjen e plotë të Republikës Italiane ndaj Republikës së Kosovës në angazhimin e saj për paqe dhe stabilitet në rajon. Ky angazhim varet fortësisht nga masat që do të ndërmerren nga institucionet e brendshme të Prishtinës për të konsoliduar shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsonit dhe respektimin e të drejtave themelore duke filluar nga liria e informimit.

Presidenti Cicchicto shfrytëzoi rastin për të përkujtuar rolin pozitiv që po luan në këtë drejtim ushtarët italianë në kuadër të Misionit të KFOR-it.