[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ish-zëvendësministrja e Kulturës lë postin dhe 7 mijë euro të paarsyetuara



Prishtinë, 2 shkurt – Elfete Shabani thotë se nuk e di arsyen përse është shkarkuar nga posti i zëvendësministres së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit. Beson që kjo është marrëveshje politike, shkruan sot Koha Ditore.

Por në institucionin ku ka punuar 2 vjet ka lënë 7 mijë euro të paarsyetuara. Muajin e kaluar është zëvendësuar nga bashkëpartiaku i saj, Qazim Rahmani, nga Partia e Ashkalive për Integrim. Edhe ai ishte përmendur për keqpërdorimin e 3 mijë eurove, dhe “akuzën” e kishte bërë pikërisht partia e tij. Thotë se një akuzë e tillë është konfirmuar si e pavërtetë.

Elfete Shabani ishte emëruar zëvendësministre e Kulturës në fund të marsit të vitit 2015 dhe është “liruar” nga kjo pozitë me vendim të kryeministrit Isa Mustafa muajin që shkoi. Shumën prej 7 mijë eurosh nuk e ka arsyetuar ende. Sipas të dhënave që i ka ofruar MKRS-ja gazetës, Shabani gjatë vitit 2015 ka shpenzuar 3 mijë e 579 euro nëpërmjet kartelës bankare. Janë po ashtu edhe 3 mijë e 570 euro të shpenzuara gjatë vitit 2016 për të cilat nuk ka mbulesë.

Gazeta ka marrë vesh se janë bërë pagesa edhe në supermarkete e po ashtu gjatë verës së vitit të kaluar Shabani ka paguar deri në 18 çadra plazhi në bregdetin e Durrësit, përkatësisht tek hotel “Bonita”. Këtë nuk e ka hedhur poshtë zëvendësministrja.

“Ato janë të rregulluara. Të gjitha janë të rregulluara”, ka thënë ajo derisa është pyetur për këtë rast. Ka insistuar se të gjitha mjetet janë të arsyetuara.

“Nuk është e vërtetë që nuk janë arsyetuar. Ato janë rregulluar. Janë kërkesat e bëra dhe janë dërguar faturat. Kam pasur takime zyrtare me komunitetin. Kam shkuar në vizitë dhe kam pasur ftesë nga një shoqatë në Shqipëri”, ka thënë Shabani, e cila prej ditës së martë i është rikthyer pozitës si zyrtare për të drejtat e komuniteteve në Komunën e Shtimes.

Ministria e Kulturës nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës nëse është ndërmarrë ndonjë veprim ndaj zëvendësministres sa u përket këtyre mjeteve. E sa për lirimin nga detyra, Shabani ka thënë se nuk i di arsyet.