Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se lidhur me rastin e Maria Bamieh, e cila ka qenë e ftuar për intervistim pranë kësaj prokurorie, është duke vepruar konform dispozitave ligjore në fuqi.
Sipas Prokurorisë, bazuar në shkresat zyrtare që ka në posedim prokurorja e çështjes, më 03.06.2017, Bamieh i është hequr imuniteti nga Kombet e Bashkuara.
Lajmi u bë i ditur në një komunikatë për media nga ana e Prokurorisë.
Në kumtesë, mes tjerash u tha se e njëjta sipas legjislacionit vendor, është udhëzuar nga prokuroria të angazhojë një avokat vendor, i cili është i licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, për zhvillimin e mëtejmë të procedurës.
Reagimi i Prokurorisë së Prishtinës vjen pas raportimit të Paparacit lidhur me hetimet për dy vepra penale ndaj ish-prokurores britanike.
Paparaci të hënën raportoi për dështimin e marrjes në pyetje të ish-prokurores Maria Bamieh, që ishte planifikuar të realizohej sot në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Ish-prokurorja britanike që po hetohet për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe rrjedhje të dokumenteve konfidenciale, më 9 korrik kishte pranuar ftesë për intervistim nga prokurorja e Krimeve të Rënda, Fitore Sadikaj.
Marrja në pyetje e Bamieh ishte paraparë të realizohej sot, më 25 korrik, në orën 10:00, raporton Paparaci. Por, intervistimi i saj nuk ka ndodhur të hënën, raportoi Paparaci të hënën nga burime brenda organit të akuzës.
Bamieh, e cila qëndroi në Kosovë për disa ditë rreth dy javë më parë dhe u paraqit në një konferencë për media për të dhënë detaje rreth fitores në një rast civil gjyqësor me Qeverinë britanike, është kthyer në shtëpinë e saj në Britaninë e Madhe disa ditë më parë./Botapress.info/