Një zëdhënës i ish-presidentit amerikan, George H.W. Bush, ka bërë të ditur se Bush, në spital që nga e shtuna, është shtruar tani në repartin e përkujdesjes intensive, për të trajtuar një problem me frymëmarrje nga pneumonia.
Zëdhënësi Jim McGrath ka thënë se edhe bashkëshortja e Bushit, Barbara, është shtruar në Spitalin Metodist të Hjustonit, pasi ka nisur të përjetojë lodhje dhe kollitje, transmeton Express.
McGrath ka bërë të ditur se ish-presidentit 92-vjeçar i është bërë anestezia, për një procedurë për mbrojtjen dhe pastrimin e rrugëve të tij të frymëmarrjes.
Ai është në gjendje stabile dhe po pushon rehat, ka njoftuar zëdhënësi.
Barbara Bush është 91-vjeçare. Çifti ka shënuar përvjetorin e 72’të të martesës më 6 janar.