Ish-nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës i ka 700 milionë euro për t’u shpenzuar në energji elektrike, por që të njëjtën shumë nuk po e përdorë, duke i lënë të “rrinë kot”.
“Ka disa muaj që kam postuar mbi shifrën marramendëse të parave të gatshme në thesar që kjo qeveri i mban. Atëherë ishin rreth 500 milionë, sot del të jenë afër 700 milionë”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.
“Paramendojeni dozën e arrogancës nga kjo Qeveri – ka para të gatshme që rrinë kot, e të cilat mund të përdoren që ta kalojmë me lehtësi këtë situatë, mirëpo, në vend të punës, prapë gjen kohë të gjej fajtorin tjetër kund – kësaj radhe tek qytetari dhe batanija si zgjidhje”, shtoi ai.
Sipas tij, Qeveria duhet fillimisht ta sigurojë energjinë elektrike e më pastaj të kërkojë nga qytetarët që ta kursejnë atë.
“T’i ndajmë detyrat në këtë shtet. Qeveria le të sigurojë energjinë elektrike, e kur ta bëjë këtë, atëherë ka të drejtë të kërkojë nga qytetarët ta kursejnë atë”.
Po ashtu, ai ka theksuar se mungesa e kompetencës së kësaj qeverie sa vjen e shpërfaqet më shumë.
“Sot edhe qytetari i thjesht e ndjen këtë gjë. Ka disa ditë që lagje të tëra të kryeqytetit mbesin në terr. Prej sot edhe Termokosi ka problem me ngrohjen si rezultat i ndërprerjeve të furnizimit me energji elektrike”.
“Sigurisht që kërkesat për kursim të energjisë elektrike duhet të respektohen – mirëpo së pari duhet të kemi çka të kursejmë. Nuk është detyrë e qytetarit të rëndomtë të sigurojë energjinë elektrike”, shtoi ai.
Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve të energjisë dhe se sipas tij do të bëhet maksimumi për të ruajtur furnizimin e rregullt.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
“Qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve, do të bëjmë maksimumin që të ruajmë furnizimin e rregullt dhe të shmangim rritjen eventuale të çmimeve të energjisë elektrike”.
Po ashtu, Kurti ka treguar se në mbledhjen e Qeverisë është miratuar vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhënien e autorizimit për Ministrinë e Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë mes Kosovës, KOSTT-it dhe KFË për projektin zhvillimi i sektorit të energjisë, përmirësimi i rrjetit të transmetimit.
“Sa i përket vendimit të miratuar në qeveri lidhur me marrëveshjen e kredisë, pas ratifikimit në kuvend menjëherë në vitin e ardhshëm do të fillojmë me implementimin e saj”.
“Do të bëjmë krejt çka dimë e mundemi me kapacitetet që kemi në mënyrë që t’u dalim në ndihmë qytetarëve. Andaj e kuptojmë q është situatë e rëndë por nuk kemi ndërmend që të kursejmë për qytetarët tanë, por i ftojmë ata që ta kursejnë energjinë elektrike që është pasuri e këtij vendi”.
“Është një krizë energjetike që na ka gjetur me stabilimente të vjetruara, me rrjet të ngarkuar”.