[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ish-minatori 89-vjeçar, i moshuari i parë qe e merr vaksinën Astra Zeneca në Kosovë



Në Kosovë sot ka nisur vaksinimi kundër COVID-19 i personave mbi moshën 85 vjeç, proces ky i cili është paraparë të vazhdoj edhe më datën 9 dhe 10 prill. I pari që e mori dozën e parë të AstraZeneca në Qendrën e Vaksinimit “1 Tetori”, në Prishtinë është ish minatori, 89 vjeç, Maliq Sejdiu.

Dhënia e vaksinës për këtë kategori ashtu siç është planifikuar, do të bëhet në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësive Familjare në komunat ku është shpërndarë vaksina. Ndërsa, datat 11, 12 dhe 13 prill është paraparë të nis vaksinimi i personave prej 80 deri në 84 vjeçar.

Pasi e mori vaksinën, Maliq Sejdiu tha se po ndihet mirë. Ai procesin e vaksinimit e konsideroi si të organizuar mirë.

“Mirë, për mua është shumë mirë dhe nuk di çka të them[…]Unë kam qenë minator, tash unë kam nganjëherë koll por e gjitha në përgjithësi është mirë, madje mirë e ndjejë edhe vetën”, tha ai.

88 vjeçari, Musa Qosja qysh në orën 09:00 kishte ardhur në sallën “1 Tetori” për t’u vaksinuar. Pasi e mori vaksinën ai shpreson që tash e tutje do jetë më i sigurt.

“Kam probleme me aritminë, kam ardhur që ta marr vaksinën për më mirë, edhe kam disa vjet, inshalla të rinjve iu bënë mirë se për pleq sukses pak”, u shpreh Qosja.

Hajrullah Ajeti i cili edhe katër muaj i mbush 89 vjet apelon tek të gjithë të moshuarit e tjerë ta marrin vaksinën sepse ndihem më të sigurt.

“Mirë shkoj vaksinimi, edhe mirë jam. Unnë nuk kam ndonjë sëmundje. Edhe katër muaj i bëjë 89 vjet. Por do të ishte mirë të gjithë me marrë vaksinën, është edhe më sigurt”, u shpreh ai.

Koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi tha se që nga mëngjesi ka filluar vaksinimi i personave mbi moshën 85 vjeç. Ai tha se procesi po shkon mirë dhe brenda ditës mund të aplikojnë vaksinën deri në 1 mijë persona.

Sipas tij deri të mërkurën në gjithë Kosovën janë vaksinuar 5 mijë e 400 mjekë dhe infermierë të sektorit publikë dhe privatë.

Bardhi njoftoi se personat e këtyre moshave do të kontaktohen në telefon, varësisht nga të dhënat që kanë dërguar në faqen e aplikimit për vaksinim.

“Nga sot dhe dy ditët tjera në vijim për tre ditë radhazi ne do vaksinojmë grup moshën mbi 85 vjeç, do thotë 8, 9 dhe 10. Ndërsa, nga data 11, 12, 13 pastaj vazhdohet me grupmoshën 80-84. Gatishmëria jonë për të punuar për nga numri e dini nga 750 deri në 1 mijë persona jemi në gjendje gatishmërie t’i vaksinojmë varet nga momenti se sa do të na vijnë të moshuarit për tu vaksinuar[…]Deri dje kur ishte dita e fundit për të vaksinuar profesionistët shëndetësorë të sektori privat por edhe të sektorit publik aktualisht ne kemi arritur të kemi shifrën mbi 5 mijë e 400 tashmë të vaksinuar në profesionistë shëndetësorë përfshirë qendrën “1 Tetori” por edhe në qendrat tjera ku është aplikua vaksinimi” , tha ai.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi tha se kujdesi primar shëndetësor po e realizon aspektin teknikë të vaksinimit, ndërsa pjesa tjetër e organizimit është bërë nga niveli qendror.

Ai thotë se në kryeqytet dozat aktuale të vaksinës AstraZenca do të shpërndahen vetëm në sallën “1 Tetori”, por shton se Qendra e Vaksinimit në QKMF dhe QMF-në në Prishtinë janë të gatshme për këtë proces.

“Duke e marr parasysh që është dita e parë ka qenë e organizuar nga niveli qendror nga IKShP dhe MSh në bazë të aplikacionit apo platformës ku këta qytetarë e kanë pasur mundësinë për të aplikuar në atë platformë dhe të njëjtit janë thirrur nga niveli qendror. Kujdesi parësor shëndetësor e realizon çështjen teknike i kemi ekipet e kujdesit parësor shëndetësor[…]

Fillimisht jemi dakorduar me nivelin qendror që për këtë fazë të vaksinimit dhe për këtë grup të vaksinave që janë tani më Republikën e Kosovës i gjithë vaksinimi për kryeqytetin dhe normalisht se këtu është kryer edhe për punëtorët shëndetësorë dhe për qytetarët që sa të kemi vaksina të këtij grupi do kryhen në qendrën “1 Tetori”, pastaj për furnizime tjera do të diskutojmë dhe do merremi vesh se do vazhdojmë tutje, sepse qendra e vaksinimit në QKMF dhe në qendrat tjera e QMF-ve janë të gatshme në rast se normalisht do kemi numër më të madh të vaksinave që do furnizohemi”, tha Gashi.

Nga data 30 mars në Kosovë ka nisur edhe zyrtarisht vaksinimi anti-COVID. Ata që u vaksinuan të parët ishin profesionistët shëndetësor të të gjitha niveleve. E Kosova më 28 mars 2021 i mori 24 mijë dozat e para të vaksinës AstraZeneca/Botapress/