[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ish-këshilltari i Isa Mustafës, “bashkëpunëtor” i Kadri Veselit – Cili është “misioni i fshehtë” i Edon Miftarit?    



Botapress, 13 shkurt – Edon Miftari ka qenë këshilltar i jashtëm i Isa Mustafës, ndërkaq prej gushtit të vitit të kaluar ka kaluar në kabinetin e Kadri Veselit – Cili ëshë misionit i tij i fshehtë i këtij transferi?

 

Edon Miftari ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Administratës në Komunën e Prishtinës sa ishte kryetar Isa Mustafa. Më pas me zgjedhjen e Mustafës kryeministër i Kosovës, Miftari “transferohet” në kabinetin qeveritar si këshilltar i jashtëm, i financuar nga UNDP-ja.

Por, në gusht të vitit të kaluar Edon Miftari, largohet papritmas nga kabineti i Kryeministrit për t’u akomoduar në kabinetin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit.

Edon Miftari nuk ka deponuar dorëheqje nga kabineti i Kryeministrit dhe nuk ka dhënë ndonjë arsye publikë për kalimin e tij në kabinetin e Kadri Veselit.

Botapress ka kontaktuar kabinetin e kryeministrit Isa Mustafa por nuk ka arritur të marrë një përgjigje zyrtare për largimin e tij nga kabineti qeveritar. Krejt çka thonë në Kryeministri është fakti se ai është larguar në gusht të vitit të kaluar dhe se në detyrën e këshilltarit të kryeministrit ka ardhë si “i paguar” nga UNDP-ja.

 

 

Dyshimet për rolin e Edon Miftarit në Kryeministri

 

 

Por largimi i Edon Miftarit nga kabineti i kryeministrit Mustafa dhe kalimi i tij në kabinetin e Kadri Veselit nuk mund të thuhet se është vetëm një “lëvizje teknike”.

Zyrtarë të LDK-së në kushte anonime i kanë thënë Botapress-it se Edon Miftari e ka dëmtuar shumë edhe LDK-në por edhe kryeministrin Isa Mustafa gjatë kohës sa ka qenë në kryeministri. Ai ka dërguar rregullisht ‘informata” PDK-së dhe Kadri Veselit për zhvillimet në LDK dhe në Kryeministri derisa është “zbuluar” aktiviteti i tij duke u detyruar të largohet nga zyra e Kryeministrit të Kosovës.

“Po vetë prania e tij e ka dëmtuar edhe punën edhe imazhin e LDK-së. Ai kurrë nuk ka qenë në LDK por gjithmonë është “përfshirë” me LDK-në duke u thirrë njëherë si drejtor komunal e më pas edhe si këshilltar i kryeministrit. Na ka shpëtu zoti që u largu..se krejt informatat i qonte në PDK të Kadri Veseli” ka thënë ky zyrtar i LDK-së për Botapress.

Madje besohet se Edon Miftari mund të ketë qenë një prej arsyeve që është vendosur të mbahet kujdestari në LDK.

Botapress ka provuar të kontaktojë Agim Velin për ta pyetur se a është e vërtetë se kudjestaria në LDK është vendosur për “arsye” të Edon Miftarit, por ai nuk i është përgjigjur telefonatës tonë. .

Botapress poashtu ka bërë përpjekje që të kontaktojë Edon Miftarin përmes Zyrës së Kryetarit të Kuvendit, por zyrtarja e Kryetarit ka thënë se Edon Miftari nuk ka zyrë dhe nuk rri gjithë ditën në Kuvend ndërkaq numrin personal të tij nuk ka drejtë t’ua japë gazetarëve/

Se cili ka qenë “dëmi” që i ka shkaktuar LDK-së Edon Miftari sa ka qenë pjesë e kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa e dijnë më së miri në LDK, ndërkaq se cili është roli i tij në kabinetin e Kadri Veselit mbetet të shihet në të ardhmen.