Një ditë para festës së Fitër Bajramit, shumica prej institucioneve publike, qendrore dhe lokale, por edhe disa private, në Kosovë kanë vendosur që t’i lirojnë gratë nga puna, duke ua mundësuar që të punojnë vetëm me gjysmë orari, pra deri në orën 12:00.
Burime të Demokracia.com bëjnë të ditur se kjo është një dukuri që po vazhdon tashmë e disa vite. Ndërsa, aktivistja për të drejtat e grave, Arta Avdiu thotë se me këtë veprim atyre po iu caktohet vendi në kuzhinë dhe po bëhet ndarja e roleve gjinore.
Gratë të cilat punojnë në institucione sot janë liruar nga puna në gjysmë të orarit, veprim i cili vjen një ditë para festës së Fitër Bajramit, në të cilën nuk do të punohet.
Një gjë e tillë po ndodhë për shkak që t’u mundësohet grave “të parapërgatiten” për këtë festë, e cila në vendin tonë zakonisht manifestohet me vizita të ndryshme mes familjarëve.
Burimet e Demokracia.com kanë thënë se në Kuvendin e Kosovës, gratë janë liruar prej orës 12:00, në mënyrë që të mos vazhdohet puna më tutje. Sidoqoftë, nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje deri në kohën kur është publikuar teksti.
Ndërkohë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), po vazhdon puna me orar të rregullt. Kjo është konfirmuar për Demokracia.com nga zyrtarja e lartë për Informim, Qëndresa Fazliu.
Aktivistja për të drejtat e grave, Arta Avdiu, në një përgjigje për Demokracia.com ka bërë të ditur se ky është dëm i madh për gratë në terma afatgjatë.
“Është një dem i madh, është një goditje ndaj gjithë asaj çka është arritur dhe tentohet të arrihet për liritë dhe të drejtat e grave”, ka thënë ajo.
Sipas Avdiut, shteti po dorëzohet para patriarkatit dhe në vend të përballjes me të, po shndërrohet në “mirëmbajtës të traditës shtypëse e të padrejtë”.
“Me këtë veprim grave po iu caktohet vendi në kuzhinë dhe po bëhet ndarja e roleve gjinore. Pra, shteti po çon mesazh dhe po i edukon gjeneratat e reja për role gjinore dhe po iu thotë atyre se pastrimi dhe gatimi janë punë grash. Shteti po e organizon kohën në përputhje me afatet, datat dhe kalendarin e qasjes patriarkale”, ka thënë ajo.
Në fund, aktivistja për të drejtat e grave ka thënë se Qeveria duhet t’i jap jetë kauzës për liri gjinore dhe se kjo praktikë duhet të marrë fund.
“Kosova ka nevojë për një qeveri që i jep jetë kauzës për barazi e liri gjinore e jo për Qeveri që gjunjëzohet përballë zakoneve që minojnë këto ideale fisnike, e që sot janë në qendër të përpjekjeve për shoqëri më të drejta e më inkluzive. Sado që ne e dimë që aktualisht “punët e shtëpisë” bëhen vetëm nga gratë, këtë institucionet shtetërore nuk guxojnë ta promovojnë dhe imponojnë në ketë mënyre. Kjo praktikë tejet negative duhet të marrë fund tash dhe shteti të nisë të promovojë të kundërtën. Dhe jo vetëm kaq por të ndalojë çdo reklamë apo ligjërim që promovon rolet gjinore”, tha ajo.
Vlen të theksohet se nesër në Kosovë pritet që të jetë ditë pushimi, për shkak të festës së Fitër Bajramit.