Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet për ngjarjen e ndodhur ditë më parë në Prizren ndërmjet ish-ushtarit të UÇK-së, Faik Fazliu, dhe disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.Kështu kanë konfirmuar për “Gazeta Blic” nga IPK .Në përgjigjen e tyre thuhet se dje kanë pranuar një ankesë edhe nga Faik Fazliu dhe e njëjta i është përcjellë Departamentit të Hetimeve.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK pas publikimit të pamjeve ka filluar një hetim preliminar bazuar në autorizimet ligjore të saj. Hetuesit e Departamentit të Menaxhimit të ankesave dje në objektin e IPK-së kanë pranuar ankesën nga z. Fazliu së bashku me raport mjekësor dhe të njëjtat së bashku ankesë janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve të IPK-së.Veprimet tjera hetimore pritet të ndërmirren bazuar në fushëveprimin ligjor të Inspektoratit Policor” thuhet në përgjigjen e tyre për “Gazeta Blic” Lidhur me këtë që ka ndodhur gjatë ditës për “Gazeta Blic”, ka folur edhe vetë protagonisti i ngjarjes, Faik Fazliu.
Fazliu deklaratat e policëve i ka cilësuar gënjeshtra dhe se të njëjtat janë bërë për të mbrojtur veprimet e tyre.
“Janë gënjeshtra të gjitha, sepse ata i bëjnë për t’i mbuluar veprimet e tyre shtazarake. Të gjitha ju që i dyshoni ose që po tentoni mbase edhe të më njollosni, edhe më shumë i keni në video. Edhe nëse juve po ju intereson e vërteta ndryshe, merreni mundin dhe shkoni te lokali, pyetni ata të lokalit. Krejt ngjarja ka ndodhë kur muzika veç ishte ndalur, plus lokali ishte poathuajse i zbrazur, ndërsa nëse edhe ju dëshironi të bëheni pjesë e manipulimeve të atyre njerëzve të cilët ushtruan dhunë ndaj meje, më vjen keq për juve”, tha Fazliu për “Gazeta Blic”.Ndërsa lidhur me ngjarjen “Gazeta Blic” ka publikuar edhe versionin e Policëve të cilët kanë konfirmuar se Faik Fazliu i ka ofenduar dhe sharë gjatë kohës që ata po kryenin detyrën./Botapress/