Duke iu referuar pretendimeve për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut lidhur me një incident në sheshin “Car Llazar” të datës 26 tetor 2024, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar sot suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një rreshter dhe një zyrtar policor), të angazhuar në drejtorinë rajonale të policisë në Mitrovicën e Veriut.
Lajmin e ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës.
“Rekomandimi për suspendim është bërë në interest të hetimit me dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë në keqtrajtimin e qytetarit në këtë rast. Inspektorati Policor në kuadër të autorizimeve ligjore do të ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore në koordinim me prokurorinë kompetente për të sqaruar rrethanat e këtij rasti” thuhet në njoftim të IPK-së, shkruan IndeksOnline.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur më 26 tetor, pas orës 3 të mëngjesit, me policinë që ndërhyri në një dyqan ku një i dyshuar tentoi të dëmtojë gjëra dhe pajisje të ndryshme, të cilat ishin të rrethuara me rrjetë mbyllëse.