[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Imami i Gjilanit shkon me 30 persona në të pame te familja e xhihadistit Haqifi (Foto)



Një ditë pas vdekjes së luftëtarit të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak (ISIS), Ridvan Haqifi, nga Gjilani, xhemati i xhamisë “El-Kuddus” në Lagjen e Tetë të Gjilanit në përbërje prej rreth 30 personash, të udhëhequr nga imami Agim Hyseni, vizituan sot familjen Haqifi.

Ata shkuan në të pame tek familja e njeriut që deri të mërkurën luftoi për organizatën terroriste, që vetëshpalli Shtetin Islamik në Siri dhe Irak, Ridvan Haqifit i njohur me nofkën Al-Kosovi.

“Kemi shkuar në të pame, sot pasi e kemi falë drekën në xhami. Ishim diku rreth 20 apo 30 veta të xhematit”, ka treguar për Insajderin imami i xhamisë “El Kuddus”, Agim Hyseni.

Pavarësisht se Haqifi luftoi për një organizatë të shpallur terroriste nga shumica e vendeve të botës, bashkëvendasit e tij të xhematit të xhamisë “El Kuddus” janë ndjerë të shqetësuar për vdekjen në Siri të 27-vjeçarit, që dikur ishte pjesë e këtij xhemati.

“Është një vdekje e dhimbshme, në vend se të qëndroj në vendin e vet dhe me e dhanë një kontribut për familjen e vet, ai ka shku në një luftë të huaj, kur isha sot në familjen e tij, e pash që ata kanë një jetë bajagi të mundimshme në kushte të vështira”, ka thënë imami Ahmeti.

Imami Agim Hyseni thotë se e ka njohur Ridvan Haqifin kur ishte nxënës në Medrese.

Imami Agim Hyseni

“Ridvanin e kam njohur, ai ka qenë nxënës i medresesë, por unë e kam njohur kur ka qenë më i vogël, pastaj kur është rritur ai ka qenë zot i vetvetes”, ka thënë Imami Agim Hyseni.

Me 4 qershor të vitit 2015, i riu nga Gjilani, Ridvan Haqifi kishte dalë në një video mesazh si komandant shqiptar i organizatës terroriste ISIS ku paralajmëronte se “ditë të zeza po vijnë” për Kosovën dhe Shqipërinë.

Ai u vra të mërkuren në Siri duke luftuar për një organizatë e cila fut terrorin në tërë botën përmes akteve makabre të ekzekutimit dhe vetëvrasjes.

Lajmin e bënë të ditur vet familjarët të cilët edhe hapën të pamet. /insajderi

Imami i Gjilanit shkon me 30 persona në të pame te familja e xhihadistit Haqifi