10 kosovarë vdiqën tragjikisht në një aksident të rëndë komunikacioni mëngjesin e së dielës në autostradën Bregana-Lipovac afër Slavonski Brod në Kroaci, teksa po udhëtonin nga Frankfurti për në Kosovë.
Në mesin e viktimave janë dy gra nga komuna e Gjakovës.
Gazeta Reporteri mëson se viktimat ishin nënë e bijë dhe po udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë bashkë me 65 pasagjerët tjerë që ndodheshin në autobusin e Deva Tours.
Raportohet se vajza është e moshës madhore, mbi 18 vjeç.
Policia kroate ka lëshuar një deklaratë duke detajuar rrethanat e aksidentit tragjik me autobus në autostradën afër qytetit Slavonski Brod.
Policia kroate tha se në orën 6:19 të mëngjesit të sotëm pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.
Kryeministri Albin Kurti ka arritur në vendin ku një autobus me mërgimtarë u aksidentua dhe pritet të vizitojë të lënduarit që po trajtohen në spital. Bashkë me të janë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia si dhe shefi kabinetit të Vjosa Osmanit, Blerim Vela.