Shefi i KEDS-it Evetar Zeqiri, në një konferencë për media bashkë me ministren Artane Rizvanolli dhe një përfaqësues të KEDS ka folur për krizën energjetike te vendi. Zeqiri ka thënë se sistemi po përballet me ngarkesë të madhe për shkak të zhvillimit ekomomik që sipas tij ka ndodhur në Kosovë në vitet e fundit.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Avdullah Hoti në një postim në Facebook duke ironizuar me shefin e KEDS-it gjoja se zhvillimi ekonomik po ndodhka vec dimrit e jo verës.
Ja postimi i Hotit në Facebook:
Katër vite në qeverisje. Asnjë kapacitet i ri energjetik nuk është ndërtuar. Projekti i gazit u anulua, i cili sot do të ishte funksional.
Tani kur përballemi me mungesë të energjisë në dimër, këta të paaftë që dinë të bëjnë vetëm deklarime të përçudnuara se: “nuk ka mungesë të energjisë, por ka mbingarkesë”, “mbingarkesa po vjen për shkak të zhvillimit ekonomik” etj. Ta merr mendja se zhvillimi ekonomik ndodh vetëm në dimër, e jo në verë.
Kur pyetet ministrja e ekonomisë për reduktimet me energji, ajo përgjigjet se i ka përcjellur ankesat e qytetarëve në KEDS, sikur të ishte zyrtare për ankesa të qytetarëve e jo ministre përgjegjëse për zhvillimin strategjik të sektorit të energjisë.
Sikur të nisej me kohë ndërtimi i termocentralit me gaz, sot do të kishim së paku edhe 200 megavat energji për të mbuluar kërkesën e tepërt për energji, që po përdoret masivisht për ngrohje.