Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se LDK-ja po hyn në zgjedhjet e 17 tetorit me besim të plotë se do të marr mbështetjen e qytetarëve për të udhëhequr me pushtetin lokal.
“ Kemi konfirmuar kandidatura shumë të mira për kryetarë komunash dhe për kuvende komunale – personalitete të respektuara nga komunat përkatëse e disa prej tyre në nivel vendi, ekspertë me përvojë ndërkombëtare që i janë bashkuar LDK-së, aktivistë të devotshëm të LDK-së dhe shtetit të Kosovës me përvojë të pasur institucional. – Është bërë mobilizim i plotë në të gjitha komunat. – Janë caktuar ekipe mbështetëse nga qendra për të ndihmuar kandidatët tanë në terren. – Po zhvillojmë një fushatë unike, derë më derë dhe me kontakte individuale, me qasje programore dhe pozitive, duke treguar vlerat tona”, shkroi Hoti.
“Mbi të gjitha, çdo ditë e më shumë po bëhet e qartë se LDK-ja mbetet partia e vetme me vlera demokratike evropiane, parti institucionale, me njerëz kompetentë për të udhëhequr, parti që ka pësuar politikisht në momente të caktuara në mbrojtje të interesit shtetëror. Qytetarët po e vërejnë këtë çdo ditë dhe besimi tek LDK-ja po kthehet”, përfundoi ai.