Evander Holyfield e ka pësuar një humbje të shpejtë nga ish-ylli i UFC-së, Vitor Belfort, në rundin e parë të meçit të tyre në Florida të shtunën në mbrëmje.
Holyfield, 58-vjeçar dhe pesë herë kampion i botës, u pajtua të ishte zëvendësues i Oscar De La Hoya, i cili ishte tërhequr nga lufta për shkak se ishte infektuar me Covid-19. Por rikthimi i Holyfield në ring pas shumë vitesh zgjati vetëm tre minuta, pasi Belfort e rrëzoi në dysheme atë para se gjyqtari ta ndërpriste luftën.
Holyfield ishte i ngadalshëm dhe pa ritëm që prej fillimit të luftës dhe pësoi nokdaun herët pasi e mori një goditje të fuqishme nga një grusht i fortë i Belfortit.
Pasi u çua në këmbë, 58-vjeçari i mori edhe disa goditje të shpejta nga Belforti, si pasojë e të cilave përfundoi në dysheme për herë të dytë. Holyfield ia doli të ngrihej në këmbë në kohë por një sulm i vrullshëm i Belfortit e detyroi gjyqtarin ta ndërpresë meçin dhe ish-ylli i arteve të përziera marciale fitoi me nokaut teknik qysh në rundin e parë.