[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Historia më rrënqethëse e dashurisë mes dy lezbikeve



Së shpejti nisin xhirimet e “Vita dhe Virginia”, filmit të ardhshëm që e trajton jetën e Virginia Woolf në aspektin sentimental, duke u ndalur specifikisht tek marrëdhënia me Vita Sackville-West.

Një histori që nisi plot pasion e u shndërrua në miqësi të përjetshme, derisa Virginia Woolf i dha fund jetës në 1941-shin. Kur u njohën, ishin të dyja të martuara. Poetja angleze Vita Sackville-West ishte e martuar me diplomatin Harold Nicolson, i cili ishte gjithashtu i paqartë për preferencat e tij seksuale.

Në dhjetor të 1922-shit Virginia ishte në kulmin e suksesit për romanin “Zonja Dalloway”, dhe prej dhjetë vitesh e martuar me botuesin Leonard Woolf. Takimi i rastësishëm me Vita-n e shenjoi aq shumë, sa vendosi ta ftonte në një tjetër mbrëmje pas tre ditësh. Nuk qe e vështirë që ato të kuptonin se kishte diçka të veçantë që i bashkonte.

Për këtë njohje Vita i foli me sinqeritet bashkëshortit. Në një letër që i dërgoi në vitin 1922, ia përshkruan Virginia-n si një personalitet pa të dytë.

“Unë thjesht, e dashuroj Virginia Woolf-in, edhe ti do ta dashuroje. Do të lëshoheshe krejt përpara sharmit dhe personalitetit të saj… Znj. Woolf është fare e thjeshtë: të jep përshtypjen e një njeriu të madh. Është krejtësisht e pandikueshme: nuk zbukurohet, vishet goxha rëndë. Në fillim, të duket e rëndomtë, pastaj pak nga pak bukuria e saj shpirtërore të imponohet, dhe fillon të joshesh vetëm duke e parë. Më duhet të them se mbrëmë ishte kujdesur më shumë për veshjen; çorapet portokalli prej pambuku i kishte ndërruar me një palë të verdha sintetike, por prapë ishte me të sheshta. Është njëherësh e huaj dhe njerëzore, e heshtur derisa kërkon të thotë diçka, dhe e thotë tepër bukur.”

Pasi vë në dukje se Virginia është “goxha në moshë” (Virginia ishte 40 kurse Vita, 30), Vita shton:

“S’para më ka rënë kaq në kokë dikush, por mendoj se asaj i pëlqej. Të paktën kështu duket; më ftoi të shkoja në Richmond, ku jeton. I dashuri im, më duket se kam rënë brenda.”

Në javët në vijim, Vita rrëfen sesi me të vërtetë ra brenda me Virginia-n, dhe se po e merrte me vete si një vorbull. Në një shkrim në ditarin e saj në shkurt, ajo shprehet kështu:

“Isha për darkë me Virginia-n në Richmond. Ishte e shkëlqyer, si gjithmonë. Sa të drejtë ka kur thotë se dashuria e bën këdo të jetë i mërzitshëm, por emocionet në jetë qëndrojnë tek “lëvizjet e vogla” për t’iu afruar dikujt. Ndoshta ndihet kështu sepse është një eksperimentuese e njerëzimit, dhe nuk ka ndonjë pasion të madh në jetë.”

Megjithatë pas kësaj, pasoi një vakuum në komunikim. Siç e quante Virginia në ditarin e saj, Vita ishte një “një grua prej vërteti”, dhe gjendej e papërgatitur ballë kësaj tërheqjeje. Gjithçka nisi si një miqësi intensive, që çoi më pas në diçka pasionante, të parezistueshme për të dyja.

Pasi mësoi se Virginia kishte vrarë veten, Vita e përshkroi kështu të dashurën e saj: “më e bukura mendje dhe shpirt” që nuk e njohu dot kurrë sa ç’duhej, dhe “një humbje që nuk do të shërohet kurrë”.

Burimi: “Brain Pickings”