[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Harry Bajraktari: Musli Mulosmanaj, atdhetari që eci gjurmëve të Binak Alisë



 

 

Mbrëm vonë në New York ndërroi jëtë Musli Mulosmanaj, nacionalist i shquar, legalist dhe antikomunist i përbetuar i komunitetit shqiptar në SHBA dhe trashëgimtari më vjetër i familjes së Binak Alisë. Vdekja e mori pas një sëmundje të rëndë, duke e lënë familjen e tij të pikëlluar, miq e dashamirë të shumtë në SHBA, në Shqipëri, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, e sidomos në Malësinë e Gjakovës, nga edhe është origjina e tij. I ndjeri Musli Mulosmanaj është bartës i titullit” Kalorës i urdhërit të Skënderbeut”, të ndarë nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

***

Musli Mulosmanaj, vjen nga dera e madhe e familjes së Binak Alisë, një burrë i përkushtuar pas Shqipërisë etnike dhe Monarkisë Mbretërore, i cili, me dashuri të jashtëzakonshme, kultivoi traditat, ndjenjën dhe virtytin e të parëve të tij, Binak Alisë, Shaban Binakut, Ali Binakut dhe të plejadës tjetër të Mulosmanajve që luftuan me vite kundër Perandorisë Osmane, kundër serbëve e malazezëve, kundër fashizmit, nacizmit dhe kundër komunizmit të Enver Hoxhës.

I ndjeri, Musli Mulosmanaj, ishte një burrë fisnik e bujar, inteligjent, me një qytetërim tradicional shqiptar, gjithmonë të vërtetën dhe të drejtën e ka vlerësuar si virtyt dhe moral në hap me kohën. Qysh në moshë të re i ra të përballej me tiraninë komuniste të Enver Hoxhës, ku arriti të shpëtonte kokën me një pjesë të familjes së tij, pasi u arratis në Kosovë, në Janarin e vitit 1949. Këtij nacionalisti të familjes së Binak Alisë i ra të përplasej me shumë sfida: me fashizmin e Musolinit, me Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, pastaj si emigrant në Kosovë për 17 vjet dhe një vit me punë të detyruar në Serbi dhe Vojvodinë, me UDB-en e Jugosllavisë dhe, më në fund, fati për të mos qenë aq mizor ndaj tij, e solli në Amerikë në vitin 1967. Përkundër kësaj, shpirtit i tij kishte mbetur tek pjesa tjetër e familjes, ku regjimi i Hoxhës i kishte torturuar dhe zhdukur në kampet e internimit në Shqipëri.

Në New York, në qendrën më të madhe botërore, gjeti emigracionin politik nga Shqipëra dhe Kosova me të cilin filloi të bashkëpunonte ngusht për çështje kombëtare, për një Shqipëri etnike me një rend demokratik perëndimor. Emigracioni politik i asaj kohe, kur emigroi i ndjeri Musli Mulosmanaj në SHBA, ishte i organizuar në parti të ndryshme nacionaliste dhe vinte nga anë të ndryshme të atdheut etnik. Së bashku me Canin, Hysenin dhe Abedinin, iu bashkuan Organizatës Kombëtare, Lëvizja e Legalitetit (OKLL). Musli Mulosmanaj i njohur si antisllav e antikomunist, ka mbajtur kontakte me gjithë përfaqësuesit e organizatave nacionaliste që ideal dhe përkushtim kishin bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe me viset tjera shqiptare në një shtet të përbashkët demokratik, si me Dr. Rexhep Krasniqin, Ing. Xhafer Devën, Selim Damanin, Abaz Kupin, Mehmet Agë Rashkocin, Vasil Germënjin, Fuad Myftinë, Ago Agajn, Hysen Tërpezën, Hysen Beg Prishtinën, Mexhid Dibrën, Dom Zef Uroshin, Xhemail Laçin dhe me të pandashmin, Imam Isa Hoxhën, që vinte nga Bytyçi i Malësisë së Gjakovës.

Në vitet e 70-ta, më herët e më pas, ky emigracion i paraqiste Departamentit të Shtetit Amerikan kërkesat që të mbështeste rrëzuarjen e regjimit komunist dhe t’ i hapej rruga e demokracisë edhe popullit në Shqipëri, dera e të cilit ishte e blinduar nga diktatori Hoxha.

Musli Mulosmanaj u lind më 10 Gusht 1930 në Fang të Bujanit, në Malësinë e Gjakovës. Është djali i madh i Çelë Shabanit, sëtrnip i Binak Alisë dhe nip i Shaban Binakut. Kjo familje ka dhënë shumë heronj e dëshmorë të kombit, dhe në kohën kur Shqipëria ra në duar të komunizmit – regjimi i Enver Hoxhës ekzekutoi, burgosi dhe internoi familjen e tij.

Pas një aktiviteti intensiv që zhvilloi për një kohë të gjatë për çështjen kombëtare, në vitin 1986 mori detyrën e kryetarit të Degës së Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit për New York dhe New Jersey, që ishte një ndër degët më të mëdha në botën e lirë shqiptare. Këtë detyrë e kreu me përgjegjësi të lartë deri në vitin 1991. I ndjeri Musli që nga ardhja e tij në Amerikë, ishte edhe anëtar i Këshillit të Xhamisë, ku bashkëpunoi ngusht me klerikët atdhetarë, tani edhe ata të ndjerë, Isa Hoxhën, Sali Efendi Miftinë dhe me priftin Zef Oroshin. Është i njohur bashkëpunimi dhe kontributi i tij me komunitetet fetare të shqiptarëve të Amerikës.

Musli Mulosmanaj ka marrë pjesë në të gjitha demonstratat dhe protestat që komuniteti i shqiptarëve nacionalistë në SHBA i ka organizuar kundër regjimit serb e jugosllav për çështjen e Kosovës dhe kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.

Musli Mulosmanaj dhe Mulosmanajt e tjerë në SHBA, duke u nisur nga tradita shumëvjeçare e bashkëpunimit me Mbretin e Shqiptarëve Zgu I, ku këto ndërlidhje i kishte vendosur Ali Binaku, u thelluan edhe më fuqishëm me Mbretin Leka I dhe me Princin Leka II. Musli Mulosmanaj, Mbretin Leka I, për herë të parë e kishte takuar në New York në vitin 1968. Sa herë që ai vinte në SHBA, e ka takuar dhe ka biseduar me të për Shqipërinë etnike. Mbreti ishte shumë i përkushtuar ndaj kësaj çështje të madhe kombëtare, e sidomos për Kosovën, e cila ndodhej e okupuar nga Serbia.

Me të ndjerin Musli Mulosmanaj dhe familjen e tij ishim në miqësi të përhershme. Ai ishte i lidhur ngusht me babain dhe gjyshin tim. Këtë miqësi me të ndjerin e vazhdova pastaj unë. Gjatë dy dekadave të fundit, në të gjitha udhetimet për çështjet kombëtare në Kosovë, Shqipëri dhe në trojet tjera etnike kemi qenë bashkë. Bashkë vepruam edhe në aktivitetet tona për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për shqiptarët në përgjithësi në Washington dhe në New York.

Në Qershor të vitit 1988 kur ishte kryetar i Degës së OKLL-së për New York dhe New Jersey, në Kishën Katolike Sant Ritas në Bronx, takoi dhe përshëndeti të famshmën e shqiptarëve, Nënë Terezen, fituesen e Çmimit Nobel për paqe.

Mik të tij e kishte edhe presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, kongresmenin Eliot Engel, Dr. Sali Berishën, Ramush Hardinajn, ish presidentin Fatmir Sejdiun, presidentin e Shqipërisë z. Bujar Nishani etj. Duke qenë përkrahës i politikës së Dr. Ibrahim Rugovës, bashkë me të morëm pjesë edhe në varrimin që u bë më 26 Janar 2006 në Prishtinë. E donte shumë Kosovën. Atje kaloi 17 vjet në një moshë relativisht të re. Ka përcjellë të gjitha ngjarjet dhe ka kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e saj. Mori pjesë në të gjitha protestat dhe demonstratat që u organizuan në New York dhe Washington kundër politikës hegjemoniste serbe dhe kundër diktatorit Hoxha.

Përballë ekzekutimeve e burgosjeve të meshkujve të familjes së tij, vizitoi Avdyl Qerimin në burgun e Burrelit dhe Hazir Sylën në burgun e Durrësit, në kërkim të këtij të fundit për t’ i dërguar disa rrobe të nevojshme dhe pak ushqim. Kujtimet e tij nga ato ditë ishin trishtuese, aq më tepër, kur ky si i ri ndodhej përballë mizorive. Pas vdekjes së babait Çelë Shabanit në mënyrë misterioze në një spital të Nishit, merr drejtimin e familjes, derisa bënte jetë emigranti në Kosovën e pushtuar.

Musli Mulosmanaj mbetet njëri ndër nacionalistet e shquar nga Komunitetit i shqiptarëve të Amerikës, për kontributin e tij që ka dhënë në çështjen kombëtare që nga vitet e 70-ta të shekullit të kaluar. Këtë aktivitet e vazhdoi deri në frymën e fundit kur i mbylli sytë përgjithmonë.

Vepra që la pas i ndjeri Musli Mulosmanaj, do të zë vend gjithmonë në zemrat e nacionalistëve shqiptarë, të legalistëve dhe të antisllavëve. Do të përkujtohet gjithnjë si një atdhetar i devotshëm, që ai dhe paraardhësit e tij i dhanë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve tjera etnike shqiptare.

I qoftë dheu i lehtë!

New York, 3 Maj, 2017.