[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

‘Haremi’ aziatik josh kosovarët



Azia është bërë një parajsë e vërtetë për yjet e futbollit botëror. Paratë e majme që po shpenzohen në këtë kontinent po i joshin edhe futbollistët kosovarë. Liridon Krasniqi, Faton Toksi, Enis Alushi, Erton Fejzullahu dhe Bajram Nebihi janë disa nga lojtarët nga Kosova që luajnë në ekipet aziatike, derisa Valon Berisha e pranon se do ta mendonte një transferim në Kinë për një ofertë të majme. Përzgjedhësi Albert Bunjaki thotë se zgjedhjet i bëjnë vetë lojtarët, por e pranon se do të donte t’i shohë ata në ligat më të forta

Futbolli aziatik po “popullohet” dita-ditës e më shumë me yjet e futbollit botëror. Ky kontinent është bërë “parajsë” për futbollistët për shkak të rrogave marramendëse që ofrohen atje.

E këtë rrugë po e ndjekin edhe lojtarët kosovarë, të cilët po shtohen çdo ditë e më shumë në ligat e ndryshme të vendeve aziatike, si rezultat i ofertave të parefuzueshme, duke hequr dorë nga ligat e forta evropiane.

Për momentin, në ligat aziatike luajnë pesë futbollistë kosovarë: Liridon Krasniqi, Faton Toksi, Enis Alushi, Erton Fejzullahu dhe Bajram Nebihi, shkruan sot gazeta Zëri.

Përzgjedhësi Albert Bunjaki është i vetëdijshëm se “Uragani Azia” mund t’i përfshijë edhe futbollistët e tij, të cilët megjithatë i arsyeton nëse vendosin të shkojnë në këtë kontinent. Sidoqoftë, ai e pranon se do të donte që lojtarët e Kosovës të luajnë kryesisht në ligat më të forta evropiane.

Image

“Mendoj se është çështje e lirë e lojtarëve të vendosin për karrierën e tyre dhe kjo sigurisht varet nga shumë faktorë. Normalisht që dëshirë imja dhe e çdo trajneri është t’i ketë lojtarët në ligat më të mira dhe në klubet më të mira”, ka thënë të dielën Bunjaki për “Zërin”.

Ai shton se, kudo që shkojnë lojtarët e tij për të luajtur, do t’i përcjellë me kujdes.

Image

I fundit që iu bashkua kësaj liste ishte mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Alushi, i cili e la Nurnbergun në Gjermani për t’u transferuar tek Maccabi Haifa në Izrael.

Liridon Krasniqi luan qe një kohë të gjatë në Malajzi, tek ekipi Kedah FA, derisa fillimisht kishte bërë karrierë në Evropë.

Ai është bërë njëri prej lojtarëve më të preferuar në këtë shtet aziatik, ku ka thënë se është ambientuar dhe ndihet mjaft mirë.

Image

Krasniqi, i cili po ashtu është përfaqësues i Kosovës, ka thënë se kushtet e mira financiare në këtë vend kanë bërë që ai të heqë dorë nga Evropa për të luajtur në Azi.

Madje, ai ka zbuluar se ka refuzuar oferta nga Evropa, vetëm për të vazhduar me ekipin aktual.

Së fundmi, atij i është bashkuar edhe futbollisti tjetër kosovar, Faton Toski, i cili prej Frankfurtit kishte shkuar tek Laçi në Shqipëri dhe javë më parë u transferua në kampionatin malajzias, në ekipin Perak TBG.

Erton Fejzullahu, edhe ky përfaqësues kosovar, nga viti 2014 luan në Kinë, fillimisht në ekipin Beijing Guoan e tash tek Dalian Transcendence.

Image

Lojtari i fundit kosovar që luan në Azi është Bajram Nebihi, i cili nga ky vit mbron ngjyrat e ekipit tajlandez, Ubon UMT United, derisa më parë kishte luajtur kryesisht në Gjermani. Në të kaluarën, në Azi kishte luajtur edhe Arsim Plepolli, i cili kishte bërë karrierë në Iran me ekipin Aluminium Hormozgan.

Image

Berisha: Kina ta siguron jetën

Tregu kinez është bërë së fundmi më interesanti dhe më aktivi në botën e futbollit. Atje po përfundojnë yje të ndryshme dhe futbollisti kosovar, Valon Berisha i arsyeton në njëfarë mënyre ata. Megjithatë, fokusi i tij është futbolli evropian.

“Është një ofertë që ta siguron jetën, shumë lojtarë mendojnë në atë drejtim, kanë krijuar familje dhe është një ofertë që të bën të mendosh dhe vështirë ta refuzosh. Por, synim imi është të luaj në ligat më të mëdha të Evropës”, ka thënë Berisha për gazetën. Tash, mbetet të shihet se cili nga lojtarët kosovarë do të përfundojë në “haremin aziatik”. /Zëri/

Image