[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Haradinaj thotë se pas seancës së 9 shkurtit do të kthehet në Kosovë



Botapress, 2 Shkurt

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tash e 29 ditë po mbahet i ndaluar në Francë, ka thënë se nuk ka vërejtje sa i përket angazhimit të shtetit të Kosovës në aspektin procedural në çështjen e tij, por thotë se fakti që ka qëndruar kaq gjatë në ndalim tregon kapacitetin e Kosovës.

“Nuk mundem me dhënë vërejtje në kuptimin procedural, por po shihet fuqia e Kosovës sa është. Mbajtja aq gjatë e një shtetasi të Kosovës përmes një lënde kaq politike vetëvetiu tregon kapacitetin e Prishtinës zyrtare, pra kush është Prishtina zyrtare”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj është arrestuar bazuar në një fletarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia. Sot zyrtarisht ai ka pranuar kërkesën e Serbisë për ekstradim, ndërsa pritet të dalë para gjykatës më 9 shkurt.

Por, Haradinaj thotë se pas vendimit të gjykatës mund të kalojnë edhe disa ditë të tjera deri në kthimin e tij në Kosovë.

“Me 9 shkurt është seanca. Mundet vendimi mu marrë po atë ditë, mundet mu shty vendimi për ndonjë ditë të radhës por ballafaqimi përfundimtar është me 9 shkurt. Unë do të kthehem me siguri me 9 ose në dy-tre ditë pas”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për RTK.

Ndalimin e tij Haradinaj e ka cilësuar si një cirk ligjor dhe lëndë të motivuar politikisht.