[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Haradinaj të enjten sërish para Gjykatës, mbrojtja beson në lirimin e tij



Botapress, 7 shkurt – Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të enjten do të dalë sërish para gjykatës së qytetit të Colmar-it, ndërkaq mbrojtja është optimiste se Haradinaj do të kthehet në Kosovë.

 Arianit Koci, avokati i ish–kryeministrit të Kosovës, ka shkruar se kërkesa e Serbisë për ekstradim e Haradinajt është politike.

Ai ka thënë se pushtetarët serb nuk do t’ia falin kurrë Haradinajt angazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës dhe luftimin e politikës gjenocidale të pushtetit të Millosheviqit.

“Sidoqoftë, kërkesa për ekstradim është e pabazuar, madje, edhe është një keqpërdorim i rëndë i të drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë. Pse duhet Ministrja e Drejtësisë, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, në kontinuitet të deklarohen në media, për këtë çështje. Mos të harrojmë se Aleksandar Vuçiq ka qenë Ministër për Informacion në kohën e Millosheviqit dhe Ivica Daçiq ka qenë zëdhënës i partisë SPS. Haradinaj është liruar nga ana e Tribunalit të Hagës, dhe të gjitha pretendimet e Serbisë janë reciklim i atyre akuzave”, ka shtuar Koci.

Ndalimi i Haradinajt ka ngjallur reagimin e krerëve të institucioneve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në mbarë trojet shqiptare. Kundër ndalimit të Haradinajt janë organizuar një varg protestash nëpër të gjitha qytetet shqiptare, në qytetet më të mëdha të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndryshe, të enjten, prej orës 14.00, në gjykatën e qytetit të Colmar-it, do të shqyrtohet kërkesa e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt.