Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se Albin Kurti, është i vetmi i burgosur që u fal nga presidenti i Serbisë.
Haradinaj ka thënë se Kryeministri i tanishëm Kurti, ishte falur gjatë kohës sa ishte në burgjet serbe, nga presidenti i atëhershëm serb.
“Kryeministri Kurti nuk është fajtor për përvojën e tij, nuk mban përgjegjësi pse është zënë rob dhe është mbajtur nga Serbia. Por nëse gjatë punës dhe veprave të tij shoh pozitë që sulmon themelet e të arriturave tona të Kosovës, menjëherë më kujtohet koha kur ky ka qenë në duar të tyre dhe fakti se për dallim të Ukshin Hotin nuk e dimë ku është, për Albin Kurtin ka një vendim të faljes së presidentit të Serbisë. Për falje nuk ka asnjë vendim tjetër, vetëm për Albin Kurtin nga Vjosllav Koshtunica. S’po them që kjo është dëshmia, sepse Serbia ka mundur ta falë për propagandë apo arsye të caktuara”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se deklaratat e Kurtit në Bruksel ku tha se vendet e Ballkanit duhet të çlirohen nga kriminelët e luftës, ishin barazim i shtetit të Kosovës me Serbinë./Botapress/