[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Hallës Xufë i refuzohet viza, revoltohet tezja Hanife dhe shoqëria civile (Foto)



Xufë Elshani, apo e njohur për redaksinë tonë si Halla Xufë, planifikonte që gjatë muajit mars ta vizitonte djalin e saj në Freiburg të Gjermanisë, Besimin, i cili jeton dhe punon prej 10 vitesh atje.

Por, Xufa 73 vjeçare, nuk do ta takojë djalin e saj. Të paktën jo gjatë muajit mars.

Pas refuzimit për vizën Schengen që iu bë dy anëtarëve të dalluar të shoqërisë civile, Eroll Bilibanit dhe Agon Maliqit, edhe Xufë Elshanit i është refuzuar viza nga Ambasada Gjermane, ndonëse ajo tashmë kishte qenë disa herë në Gjermani dhe vende tjera evropiane.

E revoltën e saj, si zakonisht, Xufa e shprehu në rrjetin social facebook, duke fajësuar qeverinë dhe opozitën e vendit, por duke thumbuar paksa edhe Bashkimin Evropian për padrejtësinë ndaj saj.

“Viti 2017. Liberalizimi vizave le që nuk ndodhi e nuk po ndodh, por sot e humba edhe virgjërinë e refuzimit të nji vize. Kam mendu që virgjërinë e kam humb veç me burrin tim, Shabanin. Një burokrate gjermane e pati të vështire me besu që një plakë kosovare po shkon me e pa djalin e saj. Me iu thanë të drejtën ajo s’ka faj. Faj ka opozita e gazit lotsjellës dhe qeveria jonë, por edhe BE’ja e cila po luan filma me ne”, ka shkruar Xufa në facebook.

Kjo gjë nuk e revoltoi vetëm hallën Xufë, Keqardhje për rastin e saj dhe revoltë për padrejtësinë ndaj Xufes ka shprehur edhe mikja e saj, e njohur për redaksinë si Tezja Hanife. Ajo ka thënë se nuk i beson vetes që një gjë e tillë mund t’i ndodhë një plake zonjë dhe pensionisteje të dalluar si Xufe Elshani.

“Jam e shokuar dhe e pikëlluar nga fakti që një plake të dalluar në Kosovë, Xufë Elshani, nuk i është dhënë viza për të udhëtuar në Gjermani, gjegjësisht të djali i saj Besimi, ku ishte e ftuar të kalonte disa javë. Bunkerzimi i Kosovës ka një adresë. Kësaj radhe ajo adresë më pak është në Gjermani, por është në Prishtinë”, ka shkruar edhe Hanifja, po ashtu në facebook.

E në lidhje me rastin e Xufës ka reaguar edhe shoqëria civile e pensionistëve, të cilët kanë premtuar protesta para selive të partive opozitare dhe në shesh tek qeveria. ku sipas tyre është edhe adresa e fajtorëve që e kanë izoluar Kosovën/Albanews