[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Hakmarrja godet përsëri: Arratiset familja e dy vëllezërve të arrestuar për krimin



Një ditë pas vrasjes se një 22­vjeçari në Vlorë ekziston frika e hakmarrjes, ndaj familjarët e dy vëllezërve Merko të vënë në pranga për vrasjen e të riut Rrapaj, duket se janë larguar nga banesa.

Pasi vëllezërit Klevis dhe Nevruz Merkaj masakruan me thikë Armando Rrapaj, pjesëtarët e tjerë kanë frikë nga hakmarrja. Mësohet se familja e autorëve dhe ajo e viktimës jetojnë prej vitesh në të njëjtën lagje, madje në një distancë të afërt me njëra­tjetrën. Nga ana tjetër, familja Rrapaj përcolli paraditen e djeshme për në banesën e fundit djalin e tyre, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme nga goditja me thikë që i dhanë dy vëllezërit Merko.

Në këtë kohë, familja Merko është larguar nga ajo lagje, në mënyrë për t’iu shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme. Sakaq, fqinjët janë shprehur se nuk kanë dijeni për vendndodhjen e re të Merko, por tregojnë që ata u larguan vetëm pak orë pas ngjarjes. Krimi i rëndë ndodhi të martën në lagjen “Partizani” të Vlorës. Sipas burimeve të policisë, dyshohet që shkak i sherrit ishte një lidhje dashurie midis motrës së vëllezërve Merko me kushëririn e të riut Rrapaj, i cili ndodhet në burg.

Ata e goditën disa herë në zemër 22­vjeçarin, i cili humbi jetë në spital. Më tej, policia arrestoi njeri pas tjetrit autorët që do të dalin ditën e sotme në Gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë. Vëllezërit Merkaj, sipas disa dëshmitarëve nuk kanë dashur që motra e tyre, të shoqërohej me një person që ndodhet në burg. Ndërsa Policia e Vlorës bën të ditur se ngjarja e dy ditëve më parë ka ndodhur si një krim për shkak të një zënke familjare, pasi Merkot dhe Rrapajt kishin lidhje krushqie. Menjëherë pas ngjarjes, policia arrestoi 27­vjeçarin, Klevis Merko dhe pak orë më pas, prangosi edhe vëllanë e tij 20­vjeçar, Novruzin.

Dy vëllezërit, akuzohen për veprën penale të vrasjes në bashkëpunim. Sakaq, policia e Vlorës bën të ditur se ka nisur hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes së rëndë ku humbi jetën një i ri. Sipas tyre, viktima Armando Rrapaj ka ndërruar jetë si pasojë e goditjes që ka marrë me thikë në gjoks, goditje kjo që i ka prekur edhe zemrën. /Shekulli