Botapress, 18 Maj – Një përplasje fizike mes zyrtarëve të Odës së Avokatëve të Kosovës është bërë shkak për ndërprerjen e mbledhjes së Këshillit Drejtues të odës të martën, raporton Gazeta Insajderi.
Gazeta Insajderi, nga burime brenda Odës së Avokatëve ka mësuar se përplasja fizike ndërmjet zyrtarëve të OAK është ndaluar pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë.
Sipas burimeve të gazetës, në përleshje dyshohet të jenë përfshirë së paku dy zyrtarë të Odës së Avokatëve të Kosovës.
“Cak i tentim-sulmit ka qenë Nasuf Hasani, kryetar i OAK në Prishtinë”, ka thënë ky burim.
Përleshja dyshohet të ketë nisur si pasojë e debatit të zhvilluar mes zyrtarëve të Këshillit Drejtues të OAK-ut për shkelje dhe keqpërdorime të pretenduara në odë.
Në një bisedë të shkurtër për Insajderin të martën pasdite, Nasuf Hasani ka konfirmuar se ndodhet në stacionin policor në Prishtinë.
Insajderi ka tentuar të kontaktojë me Behar Ejupin, kryetarin e OAK-ut, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike të gazetës.
Rastin nuk e ka konfirmuar as Policia e Kosovës, e kontaktuar nga gazeta të martën në mbrëmje. /Botapress/